Maqedoni

Saliu jep raport për strategjinë e përfshirjes së romëve

15.07.2025 15:09

Ministri pa portofol, përgjegjës për integrimin dhe zbatimin e Strategjisë për Përfshirjen e Romëve 2022-2030, Shaban Saliu...

Ministri pa portofol, përgjegjës për integrimin dhe zbatimin e Strategjisë për Përfshirjen e Romëve 2022-2030, Shaban Saliu, në raportin për punën njëvjeçare vlerësoi se shtigjet për integrimin sistemik të romëve në të gjitha sferat e jetës janë të hapura. Sipas tij, arritjet më të mëdha kanë qenë në integrimin në arsim dhe është punuar edhe në qasjen në shërbimet shëndetësore dhe projekte specifike, që synojnë sigurimin e strehimit të përballueshëm dhe të denjë.
 
“Dua të potencoj disa arritje të rëndësishme në përmirësimin e qasjes te shërbimet shëndetësore për bashkësinë rome. Këtu desha të përmend mediatorët shëndetësorë romë, që ndihmojnë në mënyrë aktive qytetarët romë në kuptimin e ndihmës cilësore dhe adekuate për ta. Gjatë vitit 2024 janë angazhuar 19 mediatorë shëndetësorë, të cilët vepruan si bashkëpunëtorë terreni, duke asistuar pjesëtarët e bashkësisë rome për marrjen e dokumentacionit mjekësor, realizimin e sigurimit shëndetësor, imunizim të rregullt dhe intervenime në kohë shëndetësore.”, - deklaroi ministri pa resor, Shaban Saliu.
 
Ministri Saliu njëherësh tha se deri në vitin 2025 janë zgjidhur me sukses 21 raste të legalizimit të pronës së qytetarëve të etnitetit rom, nga të cilat 13 në Veles, 5 në Koçan dhe 3 në Vinicë.
 
ABIBE QAILI