Beteja politike, kush e beri Korridorin 8?
Dy vite pas fillimit të ndërtimeve për Korridorin 8....

Dy vite pas fillimit të ndërtimeve për Korridorin 8, 20 kilometrat e lëshuara në përdorim së fundmi kanë ngritur reagime në kampin politik shqiptar për atë se kujt i takojnë meritat për të.
Korridori 8, BDI: Korridori 8 është projekt i BDI-së
Nga BDI theksojnë se korridori 8 mban firmën e BDI-së. Ndërsa ata që e sabotuan, sot krenohen me të.
"Ata që dikur e sabotonin, e bllokonin dhe e stigmatizonin këtë projekt, sot përpiqen të përvetësojnë meritën për një iniciativë që u mundësua dhe u jetësua falë vullnetit politik, angazhimit institucional dhe vizionit strategjik të BDI-së dhe liderit të saj, z. Ali Ahmeti. Qytetarët nuk harrojnë se korridori 8 është rezultat i një beteje të fuqishme politike, në të cilën BDI qëndroi në anën e zhvillimit dhe të integrimit. Ata që sot e shpallin “projekt historik” janë të njëjtit që dikur e cilësonin si “projekt me krim epik”, e kundërshtonin me ashpërsi dhe e penguan me çdo mjet.".
VLEN: Ju u fotografuat, ne po e ndërtojmë
Nga VLEN-i theksojnë se Korridori 8 është projekt strategjik shtetëror, i financuar nga të gjithë taksapaguesit dhe i mbështetur nga partnerët euroatlantikë, jo nga arkat partiake.
Koha e fillimeve të rreme ka përfunduar, ka nisur koha e kilometrave të vërteta, urave të vërteta dhe zhvillimit të vërtetë ekonomik, theksojnë nga VLEN-i.
"Asgjë nuk u ndërtua gjatë kohës kur BDI ishte në pushtet. Nuk u ndërtua as drejt Bllacës, as drejt Qafë-Thanës, nuk u ndërtua rruga Kërçovë–Strugë, rruga drejt Gostivarit mbeti në gjendje tragjike – gjithçka u ndal. Në vend të ekskavatorëve, shihnim vetëm shirita për prerje dhe konferenca shtypi për “fillime historike”. Popullizëm i pastër. Gjatë qeverisjes së BDI-së në Perëndim të Maqedonisë nuk u ndërtua asnjë kilometër autostradë. Mjaft me përvetësime. Ju u fotografuat, ne po e ndërtojmë. VLEN-i do të vazhdojë ta shtyjë përpara ndërtimin e Korridorit 8 dhe të gjitha projektet që lidhin Perëndimin e Maqedonisë.”
Më 4 prill 2023, vendosja e gurthemelit të projektit të Korridorit 8 shënoi fillimin e ndërtimit të një autostrade moderne dhe bashkëkohore Tetovë - Gostivar, Gostivar - Bukojçan, Trebenishtë - Strugë - Qafë Thanë. Korridori 8 është i gjatë 68 kilometra, me një autostradë me gjashtë korsi, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, nëpërmjet Strugës në Qafë Thanë. (Florije Kamberi, TVM2)
