QMK: 5 zjarre aktive, DMSh: Të enjten do të përfundojë konkursi për punësim

15.07.2025 15:49

Vendi vazhdon të përballet me zjarre...

Vendi vazhdon të përballet me zjarre. Aktualisht 5 zjarre janë aktive në komuna të ndryshme. Në terren me zjarret po përballen institucionet kompetente, informojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

“Gjatë 24 orëve në vend janë raportuar gjithsej 9 zjarre në hapësira të hapura, prej të cilëve vetëm 5 janë aktive. Zjarr aktiv kemi në komunën e Dojranit, Velesit, Brodit, Gazi Babës, si dhe në komunën e Sarajit. Për përballjen me zjarret për momentin janë në terren të gjitha institucionet kompetente, zjarrfikësit lokal, drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim, armata, pyjet nacionale, si dhe MPB-ja. Po bëhet përpjekje që së shpejti zjarret të lokalizohen dhe të vihen nën kontroll.”, - deklaroi Muhamed Ali nga QMK.

Ndërsa nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim informojnë për shpalljen për punësimin e 400 zjarrfikësve të rinj. Deri të enjten të gjithë të interesuarit për punësim si zjarrfikës mund t’i dorëzojnë dokumentet në qendrat lokale të punësimit në të gjitha qytetet e vendit.

“Thirrja publike për pranimin e 400 personave sipas masës së Qeverisë për luftën kundër zjarreve, gjegjësisht parandalimin e zjarreve, mbaron gjatë ditës së enjte. I ftoj të gjithë personat e interesuar që janë të interesuar më së voni deri të enjten të dorëzojnë aplikacion në qendrën lokale të punësimit në cilin do qytet të vendit. Atje do t’i plotësojnë dokumentet e nevojshme, me vete duhet të sjellin edhe vërtetim mjekësor nga mjeku amë, ku dëshmon se nuk vuajnë nga sëmundje të rënda, që do t’i pengonte në punësim për këtë detyrë. Dokumente të tjera nuk ka nevojë të sjellin. Do t’i zgjedhim më të mirët dhe do të kenë mundësi të pranohen si zjarrfikës profesional kundër zjarreve.”, - theksoi Stojançe Angellov nga DMSh.

QMK-ja u bën apel qytetarëve që të jenë sa më të kujdesshëm dhe të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, veçanërisht në kushte temperaturash të larta. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)