Ndihmë e re për Ukrainën nga ShBA-ja, Trampi kërcënon Rusinë me sanksione
Mbështetja nga ShBA-ja për Ukrainën vazhdon...

Mbështetja nga ShBA-ja për Ukrainën vazhdon. Uashingtoni premtoi ndihmë të re ushtarake për Kievin me vlerë miliarda dollarë, përfshirë edhe sistemet raketore “Patriot”.
Presidenti amerikan kërcënoi me sanksione ndaj Moskës, nëse nuk arrihet një marrëveshje për armëpushim në Ukrainë brenda 50 ditësh.
Sipas presidentit ukrainas, paqja është e mundur vetëm përmes forcës.
“Rusia po përpiqet ta paraqesë luftën si një normalitet të ri. Paqja është e mundur vetëm përmes forcës. Po punojmë në nivel ekipesh – Ukraina dhe ShBA-ja për të siguruar forcat dhe mjetet që na nevojiten për të mbrojtur jetën dhe për të mbrojtur shtetin tonë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
“Nëse nuk kemi një marrëveshje brenda 50 ditësh, atëherë kjo është ajo që do të bëjmë – tarifa sekondare. Dhe ato janë të dëmshme. Dhe shpresoj të mos arrijmë deri aty. Por, dëgjoj shumë fjalë. Të gjitha janë fjalë dhe pastaj raketat shkojnë në Kiev dhe vrasin 60 njerëz. Kjo duhet të ndalojë. Por, qëllimi i kësaj është që kemi bërë një marrëveshje shumë të madhe.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Nga Brukseli e vlerësuan retorikën e Trampit si pozitive, por theksuan se është vetëm një propozim, ndërsa 50 ditë janë një periudhë e gjatë. Situata në Ukrainë ishte gjithashtu një nga temat në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Jashtme të BE-së.
Gjendja në Ukrainë dhe pakoja e 18-të e sanksioneve ndaj Rusisë është edhe një ndër temat e Këshillit të Punëve të jashtme të Bashkimit Evropian.
“Është një shenjë e mirë që po shohim se edhe Shtetet e Bashkuara e kuptuan se Rusia vërtet nuk dëshiron paqe. Për të pasur paqe, duhet të mbështesim Ukrainën dhe të ushtrojmë presion mbi Rusinë. Shpresoj që amerikanët do të veprojnë me paketën e tyre të sanksioneve ose tarifave.”, - u shpreh përfaqësuesja e lartë e BE-së për Çështje të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.
Qytetarët ukrainas kanë mendime të ndara për masat e reja nga ShBA-ja. Në Rusi thonë se besojnë se presidenti Putin di se cfarë bën. Vendimet e marra nga Uashingtoni, vendet e NATO-s dhe Brukseli, po çojnë në vazhdimin e luftës, thonë nga Kremlini.
“Deklarata e presidentit të ShBA-së është shumë serioze, dicka në të personalisht është udhëzuar deri te presidenti Putin. Gjithsesi na duhet kohë që të analizojmë se çfarë është thënë në Uashington. Ndërkohë një gjë mund të thuhet, si duket vendimet e këtilla të cilat sillen në Uashington, vendet e NATO-s dhe drejtpërdrejt në Bruksel, nga ana e Ukrainës perceptohet si sinjal jo për paqe, por për vazhdimin e luftës.”, - deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Nga Moska më parë kanë shprehur gatishmëri për raundin e tretë të negociatave direkte me Ukrainën, por sipas tyre, është e qartë se Kievi nuk ka nxitim. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
