BERZh 2 milionë euro grant për mjedis të pastër

15.07.2025 18:40

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor...

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka nënshkruar një marrëveshje për grant me vlerë prej 2 milionë eurosh, e cila do të shfrytëzohet për menaxhimin e mbetjeve të ngurta.

Mexhiti: Punohet për një mjedis jetësor të pastër

Ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, theksoi se projekti parasheh ndërtimin e deponive të reja, mbylljen e deponive ilegale, blerjen e automjeteve dhe pajisjeve moderne për grumbullimin dhe transportin e mbetjeve.

Sipas tij, këto investime do të ndryshojnë dukshëm mënyrën e menaxhimit të mbetjeve në vend, duke respektuar standardet evropiane për mbrojtjen e tokës, ajrit dhe shëndetin të qytetarëve.

“Ky është një parakusht kyç për fillimin e ndërtimit praktik të infrastrukturës që pason. Kjo fazë është vazhdim i projektit që tashmë po realizohet në rajonin e Pellagonisë, në rajonin e Pollogut dhe në atë Jugperëndimor. Në këtë rast është paraparë ndërtimi i një deponie sanitare rajonale në rajonin e Vardarit dhe atë Juglindor sipas standardeve evropiane, sanimi dhe mbyllja e deponive ekzistuese joformale, ndërtimi i stacioneve të përkohshme për grumbullimin e mbetjeve, furnizimi me automjete dhe pajisje për mbledhjen dhe transportimin e mbetjeve, si dhe një mekanizëm modern për menaxhimin e deponive.", - deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti.

Rokas: Presim përmirësim të cilësisë së mjedisit

Ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, nënvizoi se menaxhimi i mbetjeve të ngurta mbetet një sfidë e madhe për vendin, por me mbështetjen e fondeve të Bashkimit Evropian pritet të përmirësohet dukshëm cilësia e jetesës dhe mjedisi.

"Të gjithë e dimë se menaxhimi i mbetjeve të ngurta është një çështje shumë e rëndësishme dhe sfiduese për vendin. Është një problem urgjent, prandaj shpresojmë që kjo ndërhyrje të jetë pjesë e një zgjidhjeje që do të sjellë transformim  jo vetëm për një mjedis më të pastër, por edhe për një cilësi më të mirë jete për të gjithë qytetarët. Gjatë disa viteve të fundit, së bashku kemi ofruar mbi 50 milionë euro fonde IPA, të destinuara për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta në rajonet verilindore dhe lindore.", - theksoi ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor bëjnë të ditur se projekti i plotë për menaxhimin e mbeturinave ka një kornizë financiare prej rreth 90 milionë eurosh.

Ai financohet përmes një huaje nga BERZh deri në 55 milionë euro, 9 milionë franga zvicerane nga Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike i Zvicrës, 23.8 milionë euro grante nga Fondi për Ballkanin Perëndimor dhe 700 mijë euro grant nga Qeveria suedeze. (Armend Murseli, TVM2)