Qeveria miraton ligjin që njeh diplomat e medresesë si të barabarta me ato të gjimnazeve

15.07.2025 19:14

Me propozim të Ministrisë për Çështje Evropiane...

Me propozim të Ministrisë për Çështje Evropiane dhe institucioneve përkatëse, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar Propozim-Ligjin për Shkollat e Mesme të Komuniteteve Fetare. Ky ligj, njeh në mënyrë të barabartë diplomat e Medresesë me ato të shkollave të tjera të mesme në vend.

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, e cilësoi këtë vendim si një hap shumë domethënës drejt barazisë në arsim dhe respektimit të të drejtave të komuniteteve fetare.

Ky vendim i Qeverisë, i jep fund një trajtimi të pabarabartë që prej vitesh e ka penguar njohjen e diplomave të medresesë dhe shkollave të tjera fetare.

Me ligjin e ri, të diplomuarit nga këto shkolla do të kenë të njëjtat mundësi për të vazhduar studimet universitare dhe për t’u përfshirë në tregun e punës.

Kjo nismë njeh kontributin e institucioneve fetare në edukimin dhe formimin e të rinjve, duke forcuar gjithashtu parimet e barazisë dhe përfshirjes në sistemin arsimor të vendit.