Maqedoni

Qeveria miratoi propozim-ligjin për shkollat fetare, Ibrahimi: Fund diskriminimit ndaj Medresesë

16.07.2025 12:59

Propozim-ligji për për shkollat e mesme të komuniteteve fetare, i cili është miratuar në Qeveri bën të mundur që diplomat e Medresesë “Isa Beu” dhe të shkollave tjera fetare...

Propozim-ligji për për shkollat e mesme të komuniteteve fetare, i cili është miratuar në Qeveri bën të mundur që diplomat e Medresesë “Isa Beu” dhe të shkollave tjera fetare, të njihen dhe të barazohen plotësisht me ato të çdo shkolle tjetër të mesme në vendin tonë, theksoi njëri ndër krerët e VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi. Sipas tij, me këtë Qeveria ka zgjidhur përfundimisht një çështje të ndjeshme për nxënësit e shkollave fetare në RMV dhe veçmas për nxënësit e Medresesë “Isa Beu”.
 
“Me këtë ligj, nxënësit e kësaj shkolle do të kenë arsimim gjimnazist, të plotësuar me lëndët fetare, ndërsa në fund të shkollimit do ta japin edhe provimin e maturës shtetërore, që ashtu të mund të regjistrohen në secilin fakultet të vendit e të huaj, publik dhe privat. Ky nuk është vetëm një akt teknik, por është një përmbushje e një detyrimi moral.”, - deklaroi Zeqirija Ibrahimi nga VLEN. 
 
Pasi është miratuar nga Qeveria, projekt-ligji për Medresenë “Isa Beu” duhet të kalojë edhe filtrin e Kuvendit. Ibrahimi u bëri thirrje të gjithë deputetëve që ta mbështesin këtë projekt-ligj.
 
“Ta mbështetin atë dhe ta dëshmojnë se janë në favor të të drejtave të barabarta arsimore të të gjithë qytetarëve. Le të vazhdojmë së bashku drejt një shoqërie më të drejtë dhe më të ndritur.”, - theksoi Zeqirija Ibrahimi nga VLEN. 
 
Ibrahimi tha se VLEN-i nuk bën lojëra politike me çështje fetare, por theksoi se edhe shkollat e mesme fetare janë pjesë integrale dhe e respektuar e sistemit arsimor të vendit tonë. 
 
ERSAN PAJAZITI