Maqedoni
Investim i ri energjetik në Shtip, mbulohen nevojat e mbi 100 mijë familjeve
16.07.2025 14:14
Në afërsi të qytetit të Shtipit u vendos gurthemeli për ndërtimin e parkut të erës me sipërfaqe prej gjithsej 326 hektarësh....

Në afërsi të qytetit të Shtipit u vendos gurthemeli për ndërtimin e parkut të erës me sipërfaqe prej gjithsej 326 hektarësh. Ky park do të përfshijë gjithsej 55 turbina, të cilat do të prodhojnë rreth një teravat energji elektrike në vit, respektivisht do të kenë kapacitet t’i mbulojnë nevojat energjetike për mbi 100 mijë familjeve. Investimi i kompanisë “Alkanzar Energy Partners” kap vlerën prej 500 milionë dollarësh dhe do të hapë vende të reja të punës në vendin tonë.
"Udhëheqësia e shtetit na shtyu që ta përfundonim punën më shpejt. Po hedhim themelet për këtë projekt të rëndësishëm prej mbi 500 milionë dollarësh, i cili do të krijojë 600 vende pune, do të krijojë energji të pastër dhe do të zvogëlojë emetimet e dioksidit të karbonit.", - deklaroi bashkëthemeluesi dhe partneri drejtues i "Alkanzar Energy”, Daniel Kalderon.
Kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, thanë se ky investim do të përforcojë ekonominë e vendit. Ata thanë se kjo qeveri mbetet maksimalisht e përkushtuar ndaj ekonomisë dhe tërheqjen e investimeve të huaja, pasi që, siç thanë, vendi ynë ka potencial dhe kapacitet të tërheqë edhe investime akoma më të mëdha.
"Sa i përket ekonomisë, kemi një impakt të drejtpërdrejtë dhe indirekt. Ai i drejtpërdrejtë është ajo që do të prodhohet dhe shitet dhe hyn në BPV, ndërsa ai indirekt është shumë më i madh, para së gjithash për ekonominë dhe industrinë. Rregullat e BE-së në lidhje me tranzicionin e gjelbër përcaktojnë se industritë e metaleve dhe çelikut, të cilat kontribuojnë më shumë në BPV-në tonë duke filluar nga viti 2026 duhet të përdorin energji të gjelbër.”, - theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikoloski.
"Disiplina është gjithmonë gjëja më e rëndësishme. Nëse nuk ka disiplinë dhe strukturë të qartë për një projekt, atëherë nuk ka asgjë. Kemi edhe shumë ide të tjera se si ky investim mund t'i japë vlerë edhe më të madhe si kompanisë, ashtu edhe neve si shtet.”, - u shpreh kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Me këtë rast, Mickoski vlerësoi se në tremujorin e parë janë vërejtur hapa gjigante ekonomike, respektivisht duke shënuar rritje të BPV-së mes 4 dhe 6 për qind dhe rritje historike të prodhimit industrial.
REXHEP QAMILI
