Botë
Lufta Rusi - Ukrainë nuk ndalet, Moska përballet me sanksione të reja
16.07.2025 14:39
Raketat për sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot” janë tashmë rrugës, por nuk janë nuk planifikuar raketa me rreze të gjata për Ukrainën...

Raketat për sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot” janë tashmë rrugës, por nuk janë nuk planifikuar raketa me rreze të gjata për Ukrainën, vërteton presidenti amerikan, Tramp. Dërgesat e reja të armëve po arrijnë dy ditë pasi Trampi i vendosi ultimatum Moskës, duke e paralajmëruar se ShBA-ja do të vendosë tarifa më të ashpra ndaj Rusisë, nëse nuk arrihet një marrëveshje për armëpushim brenda 50 ditëve.
“Nuk mendoj se 50 ditë janë një periudhë e gjatë. Mund të ndodhë edhe më herët. Duhej t’ia kishit bërë të njëjtën pyetje Bajdenit. Pse na përfshiu në këtë luftë? Nuk jam në anën e askujt, dua të ndaloj vrasjen e mijëra njerëzve çdo javë. Dua që vrasjet të ndalen në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
BE-ja përshëndeti ndihmën amerikane për Ukrainën, por shtoi se barra duhet të ndahet. Në këtë rast, anëtarët e NATO-s dhe BE-së blejnë armë amerikane, disa i dërgojnë në Ukrainë dhe më pas i rimbushin rezervat e tyre me mbështetjen e Uashingtonit.
“Amerika dhe Evropa po punojnë së bashku dhe nëse punojmë bashkë, kjo mund të ushtrojë presion ndaj Putinit që të negociojë seriozisht. Nëse ne po paguajmë për këtë armë, atëherë kjo është mbështetja jonë evropiane. Po bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar Ukrainën. Nëse premton që do ta japësh armën, por thua që dikush tjetër do ta paguajë, atëherë nuk është vërtet ndihmë nga ty, apo jo?”, - theksoi drejtuesja e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Kaja Kallas.
Aleatët në Evropë do të gjejnë paratë për të siguruar që Ukraina të ketë gjithçka që i nevojitet për të qenë në pozitën më të mirë të mundshme gjatë bisedimeve për paqe, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
“Nëse Putini nuk bëhet serioz, mënyra si presidenti Tramp i dizajnoi këto 50 ditë, ora ka nisur të trokasë dhe ata do të fillojnë të ushtrojnë presion mbi rusët. Dhe mendoj se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kështu që nuk do të duhen realisht 50 ditë. Shpresoj që ky proces të çojë në një rezultat pozitiv sa më shpejt të jetë e mundur.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
Shefi i diplomacisë ruse thotë se Moska po përpiqet të kuptojë se çfarë po përpiqet të thotë presidenti amerikan, pasi më parë kishte vendosur ultimatume të ngjashme.
“Kemi pasur 24 orë në të kaluarën, gjithashtu edhe 100 ditë. I kemi kaluar të gjitha këto dhe vërtet duam të kuptojmë çfarë e motivon presidentin amerikan. Është e qartë se ai është nën një presion të madh, do të thoja, të papërshtatshëm nga BE-ja dhe drejtuesit aktualë të NATO-s, të cilët mbështesin kërkesat e Zelenskit për furnizim me armë moderne, përfshirë edhe ato ofensive, në kurriz të tatimpaguesve në vendet perëndimore.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergej Lavrov.
Në front vazhdojnë luftimet. Të dyja palët publikuan raporte për sulme me dronë. Ndërkohë, Ukraina e zgjati gjendjen ushtarake për edhe 90 ditë.
BELINDA KOKA ADEMI
