Rajon

LDK: Gjykata Supreme e konfirmoi, nuk mundet edhe deputet edhe në ekzekutiv

16.07.2025 14:55

Lidhja Demokratike e Kosovës i është drejtuar Prokurorisë Speciale me kërkesë që të veprojë...

Lidhja Demokratike e Kosovës i është drejtuar Prokurorisë Speciale me kërkesë që të veprojë, pas vendimit të Gjykatës Supreme, pasi sipas tyre vendimi i supremes konfirmon që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe disa ministra kanë vepruar jashtëligjshëm pasi janë certifikuar si deputetë më 27 mars, ndërsa kanë vazhduar aktivitetet edhe në ekzekutiv.
 
“Këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme e kemi bashkangjitur në dosjen tonë, ku kemi dorëzuar në muajin maj 17 kallëzime penale përish-kryeministrin Kurti dhe ministrat e kabinetit të tij, të cilët në mars janë certifikuar si deputetë të Kuvendit. Aktgjykimi i djeshëm e ka konfirmuar të njëjtën gjë, ku një deputet i certifikuar nuk mund njëkohësisht të ushtrojë detyrën në ekzekutiv dhe të jetë ministër në detyrë dhe kryeministër në detyrë. Thënë ndryshe, ish-kryeministri Kurti dhe ish-ministrat që janë certifikuar si deputetë në mars nga ana e KQZ-së nga 27 marsi e deri më sot, fatkeqësisht duke vazhduar dhe tutje kanë zaptuar Qeverinë.”, - deklaroi Besian Mustafa nga LDK.
 
Gjykata Supreme: Ndalohet të jesh edhe deputet edhe ministër
                                            
Gjykata Supreme e Kosovës ka thënë se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
 
“Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme. 
 
Qeveria: Vendimi i Supremes, i pabazuar në ligj
 
Vendimi gjyqësor sqaron se Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja. Ndaj këtij vendimi të Gjykatës Supreme, ka reaguar Qeveria, e cila ka shprehur shqetësimin dhe kundërshtimin e saj ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj dhe me interpretim të njëanshëm të dispozitave ligjore. 
 
“Vendimi i Gjykatës është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, sepse njëkohësisht njeh ekzistencën e Qeverisë në detyrë, por mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj.”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
 
GYLTENE SINANI