Maqedoni

Kryqi i Kuq dhe MPB nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi, Saiti: 149 milionë denarë janë transferuar për të prekurit në Koçan

16.07.2025 15:03

Kryqi i Kuq deri më tani ka mbledhur rreth 159 milionë denarë si ndihmë për të prekurit në diskotekën “Puls”....

Kryqi i Kuq deri më tani ka mbledhur rreth 159 milionë denarë si ndihmë për të prekurit në diskotekën “Puls”. Nga këto fonde, 149 milionë janë transferuar te të lënduarit. Përveç kësaj, në terren po punojnë edhe ekipe psikologjike që po u ofrojnë ndihmë atyre që kanë nevojë, informoi sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq, Sait Saiti gjatë nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme. 
 
“Këto ditë po ofrojmë pandërprerë ndihmë të parë psikologjike për popullatën, me theks te njerëzit që kanë pësuar pasojat nga katastrofa. Së shpejti do të promovohet Qendra Rajonale për Ndihmën e Parë Psikologjike, e cila është pjesë e qendrës kombëtare dhe shpresoj që me këtë të jemi edhe më pranë dhe më drejtpërdrejt me njerëzit dhe të bëhemi pjesë e rimëkëmbjes së tyre.’’, - deklaroi Sait Saiti nga Kryqi i Kuq.
 
Ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, tha se Kryqi i Kuq është treguar vendimtar në rastet ku është nevojitur ndihmë për qytetarët. Përmes memorandumit shpreson për një bashkëpunim edhe më të thellë dhe rezultate më të mëdha në ndihmë të qytetarëve.
 
“Ky memorandum për bashkëpunim të cilin sot e nënshkruam do ta përforcojë edhe më shumë bashkëpunimin dhe jam i bindur se rezultatet që do të arrijmë në të ardhmen do të jenë edhe më të mira se ato të deritanishmet. Shpreh mirënjohje të veçantë për të gjithë vullnetarët dhe bashkëpunëtorët e Kryqit të Kuq, të cilët në këtë periudhë kanë punuar pa u lodhur duke ofruar ndihmë për qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht llojit të ndihmës humanitare. Roli i tyre është treguar vendimtar në një shoqëri moderne dhe demokratike.”, - theksoi Panço Toshkovski nga MPB.
 
Nga Kryqi i Kuq informuan se procesi i donacioneve tashmë është mbyllur dhe se po përgatitet kontrolli përfundimtar i fondeve. Informuan se në fund të gushtit do të mbahet takim me donatorët për të prezantuar raportin e auditimit dhe shpërndarjen e mjeteve. Ndërkohë thanë se do të vazhdojnë mbështetjen psiko-sociale në koordinim me institucionet për pasojat e tragjedisë.
 
ARMEND MURSELI