Miratimi i ligjit për lojërat e fatit, Mexhiti parasheh luftë kundër mafias së bixhozit
Industria e kazinove...

Industria e kazinove, e cila në të kaluarën ishte shndërruar në ndërmarrje afariste kryesore në vendin tonë, po pëson një goditje të rëndë, theksoi zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti.
Sipas tij, kjo goditje vjen si rezultat i miratimit të ligjit për lojërat e fatit nga ana e Qeverisë, e që parasheh një luftë të hapur kundër mafias së bixhozit.
Këto dukuri të rënda parashihen të ulen për të paktën 70 për qind dhe se deri më tani kanë mbyllur mbi 200 faqe online, të cilat kanë ofruar shërbime për popullatën e vendit tonë.
“Pra, nga mbi 7.000 aparateve VLT, me goditjen e parë do të eliminohen 4.000 sosh. Kazino nuk do të ketë më nëpër vendbanime, qytete e fshatra, siç ishte gjendja aktualisht. Po largojmë klubet e bixhozit dhe bastoret, të cilat organizojnë bixhoz për të paktën 500 metra nga objektet shkollore, çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme. Muajin e kaluar ka nisur mbyllja e qindra faqeve të kumarit online, e të cilat kanë ofruar shërbime të paligjshme në vendin tonë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i Parë dhe MMJPH, Izet Mexhiti.
Por, për miratimin e këtij ligji kishte reagim nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Nga kjo parti thonë se VLEN-i premtoi se do t’i mbyllte kazinotë.
“Kjo është ironia e zezë e një fushate të ndërtuar mbi gënjeshtra, ku premtimi ishte mbyllja, ndërsa rezultati është lulëzimi i industrisë së bixhozit. Një ligj që s’i prek dot as kazinotë e lagjeve, as bastoret në çdo cep, as bixhozin online, që u rrit më shumë se kurrë. Një ligj që është shumë më i dobët se ai, që vetë e rrëzuan më parë.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Nga ana tjetër, Shoqata e Kompanive të Basteve Sportive të Maqedonisë reagon ashpër ndaj Projektligjit për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, të cilin Qeveria e miratoi dhe kërkon që ai të ndalet menjëherë dhe të mos i përcillet Parlamentit.
Sipas tyre, miratimi i një ligji të tillë përmes një procedure të shkurtuar, pa përfshirjen e palëve të interesuara dhe pa një debat publik, është një përsëritje e qasjes katastrofike të ndjekur nga qeveria e mëparshme. (Fitim Kryeziu, TVM2)
