Ndërtimet pa leje, Kocevski: Po veprohet, jo vetëm për Çairin

16.07.2025 15:50

Duke e vlerësuar raportin e Komisionit Evropian...

Duke e vlerësuar raportin e Komisionit Evropian, sa i përket sferës së Gjyqësorit, kryeprokurori Lupço Kocevski thekson se mbi punën e tij nuk ka ndikim politik, ndërkohë që nuk deshi të komentojë qëndrimin e kryeministrit Hristijan Mickoski, ku i bën thirrje BE-së të zgjedhë prokurorë dhe Këshill Gjyqësor, pasi që këta aktualë nuk janë të besueshëm dhe nuk mund të sjellin drejtësi.

Ai vuri në dukje luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, por edhe sfidat serioze, siç janë buxheti i pamjaftueshëm dhe mungesa e stafit në Prokurori. Theksoi se Prokuroria po vepron, sa i përket akuzave për ndërtimet pa leje në Çair, por edhe në mbarë vendin.

“Sa i përket ndërtimeve pa leje kemi disa lëndë. Kemi lëndë në fazë hetimore dhe parahetimore. Sa u përket ndodhive të fundit, e dini që dje gjykata me ankesë të Prokurorisë Publike caktoi paraburgim për kryerësin potencial të veprës penale. Kjo nënkupton se Prokuroria Publike edhe më tej do të veprojë pas çdo padie penale, sa i përket ndërtimeve pa leje, dhe nuk dyshoj se prokurorët do të veprojnë në mënyrë të drejtë dhe ligjore. Po zhvillohet fazë parahetimore dhe hetimore për objekte pa leje në tërë Maqedoninë, jo vetëm për Çairin, për numra nuk mund të flas.”, - deklaroi kryeprokurori, Lupço Kocevski.

MPB siguron dëshmi për ndërtime pa leje më urdhër të Prokurorisë Publike, thekson ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Në interes të hetimit nuk zbulon se për çfarë dëshmie bëhet fjalë.

“Nuk do të kisha mundur të ndajë të dhëna në këto momente, por dua të theksoj se këto janë aktivitete në rrjedhojë të MPB-së. Nuk është se publiku ka interes dhe ne duhet të veprojmë, por këtë e bëjmë në kontinuitet.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Edhe zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti, i mbështet hetimet për ndërtimet pa leje, por bëri thirrje të mos jenë selektive.

Në këtë vend, në 80 komuna ka mbi 200.000 ndërtime pa leje dhe nëse nuk gabohem, komuna e Gostivarit kryeson midis komunave shqiptare. U bëj thirrje institucioneve të veprojnë kudo që ka ndërtime pa leje dhe të paligjshme. Institucioneve duhet t'u lejohet të veprojnë kudo, por jo në mënyrë selektive.”, - u shpreh zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti.

Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka dorëzuar më shumë padi për ndërtime pa leje. Nga MPB sigurojnë se çdo objekt që është pa leje do të rrënohet. (Florije Kamberi, TVM2)