Program kombëtar për menaxhimin e krizave, Aliu: Reforma me investime kapitale

16.07.2025 16:20

Autoritetet shëndetësore kanë nisur një program kombëtar...

Autoritetet shëndetësore kanë nisur një program kombëtar për menaxhimin e krizave, që synon të krijojë një sistem të ri për menaxhimin e rrezikut  dhe një platformë digjitale për koordinimin në kohë reale të komunikimit midis institucioneve shëndetësore dhe të sigurisë, me qëllim të reagimit në kohë dhe jo pas tragjedisë.

“Një nga sistemet shëndetësore, që do të reagojë në kohë dhe jo me vonesë. Ne krijojmë një sistem që parandalon, një sistem që përgatitet dhe vepron në kohë. Ministria filloi me programin kombëtar për menaxhimin e krizave dhe qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor, i pari i këtij lloji në vendin tonë, program i cili vendos një logjikë të re për përballimin me rreziqet, me të cilat mund të përballemi dhe t’i kemi para nesh.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Që sistemi të jetë vërtet i qëndrueshëm, ministri Aliu vlerëson  se reformat duhet të plotësohen me investime reale kapitale.

“Dje kaloi në Qeveri buxhetimi i këtyre tre institucioneve. Bëhet fjalë për Shtip, Tetovë dhe Kërçovë. Nuk do të bëhet vetëm rikonstruim, por do të bëhet edhe ndërtimi i objekteve të reja. Në Kërçovë bëhet ndërtimi i objektit të ri nga e para dhe është 18 milionë euro, ndërsa në Tetovë bëhet rikonstruimi i objekteve që tanimë janë me infrastrukturë dhe aparaturë dhe ndërtimi i dy objekteve të reja për Onkologji dhe Gjinekologji.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Në Ministrinë e Shëndetësisë më shumë se 90 raportime për parregullsi kanë mbërritur përmes aplikacionit, i cili ka qenë funksional që nga fillimi i korrikut, informoi ministri, Azir Aliu.

Numri më i madh i ankesave janë  nga Shkupi dhe qytetarët më shpesh ankohen për vonesa në rezultate, vonesa në ekzaminime dhe angazhim të mjekëve në sektorin publik dhe privat.

Çdo raport shqyrtohet nga një grup pune i posaçëm, në mënyrë që të ketë një reagim institucional. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)