Zgjedhjet lokale, Ibrahimi: Kasami garon në Tetovë

16.07.2025 16:51

Bilall Kasami pritet të garojë në zgjedhjet lokale...

Bilall Kasami pritet të garojë në zgjedhjet lokale për një tjetër mandat në Tetovë. Këtë e pohon Zeqirija Ibrahimi nga VLEN, i cili thotë se edhe në garën zgjedhore në Zhelinë do të përfaqësohen nga kryetari i deritanishëm i kësaj komune.

“E kemi deklaruar si kandidat të VLEN-it për komunën e Tetovës zotëri Bilall Kasamin dhe në komunën e Zhelinës është zotëri Blerim Sejdiu. Jemi duke vazhduar me diskutime të brendshme, me analiza të brendshme, që të mund t’i ofrojmë kandidatët më të mirë të mundshëm.”, - deklaroi Zeqirija Ibrahimi nga VLEN.

Mexhiti: Po bëhen analiza rreth kandidaturave

Zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti, e lë të hapur mundësinë që ai të jetë pjesë e betejës zgjedhore në Çair. Ai thotë se gjithçka është vënë mbi tavolinë dhe kur do të vendoset, opinioni do të jetë i informuar.

“Tash për tash e kemi vetëm Mendi Qyrën si kandidat i pavarur në Strugë, që mbështetet nga VLEN-i. Për 16 komunat tjera, ku gravitojnë dhe do të ketë garë brenda shqiptarëve, VLEN-i po pret rezultatet e disa anketave nga agjenci serioze të vendit dhe të rajonit, të cilat do të na japin orientim për përcaktimin e kandidatëve në çdo komunë shqiptare, që do të jetë vendimtare për ta vulosur fitoren e parlamentareve të para një viti, për t’ia vënë vulën zgjedhjeve lokale me fitoren e fuqishme të VLEN-it.”, - theksoi Izet Mexhiti nga VLEN.

VMRO: LSDM pa kandidat për Shkupin

Midis partnerëve qeverisës ekziston ujdi për mbështetje parazgjedhore. Ndërkohë socialdemokratët kanë publikuar pjesën më të madhe të emrave të kandidatëve. Për qytetin e Shkupit përmenden emrat e arkitektit Mishko Ralev dhe ish-ministrja e Ambientit, Kaja Shukova.

Nga VMRO-DPMNE thonë se kryesocialdemokrati Filipçe aktron kinse po zgjedh midis këtyre emrave.

“Të gjithë e dinë se Filipçe nuk ka kandidat. Të vetmit që mund të pranojnë të jenë kandidatë janë ndonjë nga njerëzit e Zaevit, sikurse Kaja Shukova, të cilët nuk kanë zgjedhje nëse humbin ose jo në emër të Zaevit dhe Venkos. Filipçe dhe të gjithë në LSDM e dinë humbjen e tyre në tetor.”, - u shpreh Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.

Opozita shqiptare ende nuk ka dalë në mbështetje të ndonjë emri konkret, në përjashtim të partisë së Arben Taravarit për Valbon Limanin në Gostivar. (Meral Ismaili, TVM2)