Maqedoni

QMBI bën thirje për protesta të qeta

16.05.2015 14:38

QMBI, u bën apel organizatorëve të protestave të 17 dhe 18 maj, që të bëjnë çmos që ato të jenë të qeta dhe në frymë demokratike...

QMBI , u bën apel organizatorëve të protestave të 17 dhe 18 maj, që të bëjnë çmos që ato të jenë të qeta dhe në frymë demokratike, duke e evituar dhunën dhe çfarëdo provokimi tjetër që mund të shkaktojë prishjen e rendit dhe destabilizimin e vendit.
 
QMBI u bën apel edhe institucioneve shtetërore që të kujdesen për mbajtjen e rendit publik, të sigurojnë dhe të garantojnë organizim të lirë të protestave, duke mos kufizuar vendin dhe kohën e protestuesve, si një nga liritë dhe të drejtat themelore të njeriut të garantuara me aktet e brendshme juridike apo me ato ndërkombëtare.
 
QMBI përshëndet angazhimin e faktorit ndërkombëtar në vend, për zbutjen e situatës politike dhe të sigurisë, duke inkurajuar të njëjtin për përkushtim edhe më të madh dhe më aktiv në këtë drejtim. 
 
Nga QMBI thonë se ky angazhim i ndërkombëtarëve duhet të vazhdojë paralelisht në tre nivele:
 
"Në aspektin politik, duke insistuar për një qeveri stabile jopartiake, si hap i parë drejt daljes nga labirinthi në të cilin aktualish gjendet Republika e Maqedonisë. Në aspektin e sigurisë, duke mundësuar një ekspertizë profesionale ushtarake nga NATO për dy incidentet e fundit, sulmin mbi stacionin policor në Gushincë dhe ngjarjen e rëndë më pasoja fatale në njerëz dhe shtëpi banimi në Lagjen e Trimave në Kumanovë, për të zgjidhur të gjitha dilemat dhe dyshimet e ngritura në opinion rreth asaj se çfarë në të vërtetë ndodhi në këto dy raste, kush krejt është i përzier në këto dy ndodhi. Në aspektin juridik, me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të ekspertëve të BE-së dhe të SHBA-ve në zhvillimin e mëtejshëm të procedurave gjyqësore të ngritura në, “Afera e përgjimeve” dhe “Puçi”, thuhet në një reagim të QMBI.