QMK: Disa zjarre janë ende aktive
Tre zjarre janë aktive në vend...

Tre zjarre janë aktive në vend, një është nën kontroll, ndërsa 17 janë shuar, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza. Në 24 orët e fundit ka pasur gjithsej 21 zjarre. Zjarret janë aktive në komunën e Velesit, ku po digjet një pyll i përzier.
Një pyll me lisa po digjet në komunën e Makedonski Brodit. QMK-ja informon se zjarri pranë fshatit Nikoliq në komunën e Dojranit është nën kontroll dhe se gjatë ditës së sotme janë angazhuar pjesëtarë të armatës dhe ekipe nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim për shuarjen e zjarreve.
“Në përputhje me planin e shtabit kryesor me menaxhimin e krizave të zjarrit në fshatin Krapë dhe Llokvicë në komunën Makedonski Brodit, gjatë ditës së sotme do të angazhohen 2 traktorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, 2 automjete të specializuara, si dhe 30 pjesëtarë të ushtrisë. Tek zjarri në komunën e Vasilevës është angazhuar helikopter nga MPB-ja, ndërsa tek zjarri në fshatin Xhidimirc, Krushë dhe Vankovcë në komunën e Velesit, gjatë ditës së sotme janë kyçur 3 automjete të specializuara me ekip nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe 30 pjesëtarë të armatës.”, - deklaroi Nadica Vëçkova nga QMK.
Institucionet kompetente u bëjnë apel qytetarëve që të përmbahen nga aktivitetet që mund të shkaktojnë zjarr dhe të raportojnë menjëherë, nëse vërejnë ndonjë vatër të nxehtë.
Të gjitha forcat janë të angazhuara në lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve të mbetura aktive. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
