48 përpjekje pa konstituim të Kuvendit, PDK dhe LDK fajin e shohin te LVV
Edhe 48 përpjekje ishin të pamjaftueshme...

Edhe 48 përpjekje ishin të pamjaftueshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në vazhdimin e 48-të, pushteti përsëri insistoi për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, por opozita vazhdon të mos pajtohet.
Fajin për bllokadën, dy blloqet ia hedhin njëri-tjetrit.
“Qytetarët e Kosovës me të drejtë janë të shqetësuar, për shkak se Kosova është duke humbur shumë edhe në aspektin politik edhe në aspektin e ndihmave nga jashtë. Kosova është duke rrezikuar një fond prej 900 milionësh nga BE-ja dhe ende nuk ka ndonjë reflektim nga koalicioni që ka siguruar më së shumti ulëse në Parlamentin e Kosovës. Kjo është një fatkeqësi e madhe.”, - deklaroi Rashit Qalaj nga PDK.
“Ajo që quhet qeveri në detyrë doli që edhe deputet edhe ministër nuk funksionon dhe nuk lejohet të ndodhë në Kosovë. Edhe një vendim gjykate fatkeqësisht dëshmon që 8 apo 9 deputetë po shkaktojnë shkelje të rëndë të ligjit, duke qëndruar në detyrën e ministrit, duke sjellë akte, duke harxhuar mjete buxhetore. Do të duhej të largohen menjëherë prej zyrave.”, - theksoi Lutfi Aziri nga LDK.
LVV: Vendimin e Supremes do ta dërgojë në Kushtetuese
Por, kështu nuk mendon Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, e cila aktualisht mban funksionin ushtruese e detyrës së ministres së Drejtësisë, por edhe deputete e zgjedhur, me pretendimin të zgjidhet kryeparlamentare.
“Do të vazhdojmë të mbajmë mbledhje të Qeverisë, sepse jemi qeveri në detyrë. Shteti nuk mund të mbetet pa një qeveri që është të paktën transitore, pra që është në detyrë për t’i kryer obligimet që i ka, që kanë mbetur deri sa të zgjidhet Qeveria e re. Për mua ka qenë një aktgjykim i habitshëm për faktin se Gjykata Supreme së pari i ka tejkaluar kompetencat që ka, ka hyrë në kompetenca të Gjykatës Kushtetuese. Ne do ta ankimojmë këtë vendim të Gjykatës Supreme, sepse e kemi të drejtën e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese.”, - u shpreh Albulena Haxhiu nga LVV.
Nisma: Në fundjavë takimi Limaj - Kurti
Një mundësi për marrëveshje politike paralajmërohet nga Nisma, nga e cila paralajmërojnë një takim mes kreut të kësaj partie, Fatmir Limaj, dhe kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Pritet që kafja të pihet deri në fundjavë. Dhe të shpresojmë se më në fund dikush po del mbi egot personale dhe partiake e ky duket se do të jetë zotëri Limaj, i cili nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend.”, - theksoi Xhevahire Izmaku nga Nisma.
Në pritje të marrëveshjes për zhbllokimin e konstituimit të Kuvendit, kryesuesi Avni Dehari vazhdimin e 49-të të seancës konstituive e ka caktuar më 19 korrik. (Gyltene Sinani, TVM2)
