Zgjerimi i BE-së, Murtezani: S’duhet të jemi peng i çështjeve identitare
Çështjet e identitetit nuk duhet të bëhen pengesë...

Çështjet e identitetit nuk duhet të bëhen pengesë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, porositi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, gjatë diskutimit në Forumin e nivelit të lartë për zgjerimin e BE-së, të organizuar nga Komiteti Ekonomik-Social Evropian në Bruksel, duke u bërë thirrje institucioneve evropiane që të respektojnë kriteret e Kopenhagës si bazë për procesin e zgjerimit.
Sipas tij, procesi i zgjerimit nuk duhet parë thjesht si instrument gjeopolitik, por si një hapësirë e përbashkët për ambicie demokratike, vlera universale dhe përfshirje qytetare.
“Procesi i zgjerimit nuk është vetëm mjet gjeopolitik, por edhe detyrim moral. Detyrim ndaj demokracisë, ndaj dialogut dhe ndaj dinjitetit të çdo qytetari evropian, pavarësisht kufijve, historisë apo gjuhës që flet. Zgjerimi nuk duhet të bëhet peng i politikës së identitetit. Duhet t’i përmbahemi kritereve të Kopenhagës: të qarta, të drejta dhe të zbatueshme për të gjithë.”, - deklaroi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar ndaj reformave dhe ndërtimit të institucioneve që reflektojnë transparencë, gjithëpërfshirje dhe drejtësi.
“Për të rinjtë tanë, Evropa nuk është një ide e largët, por një realitet i përditshëm që kërkon drejtësi, inovacion dhe solidaritet. Jemi të vendosur të vazhdojmë me reformat, të forcojmë dialogun social dhe të ndërtojmë institucione që reflektojnë besimin e qytetarëve tanë. Bashkimi Evropian në të cilin besojmë është ndërtuar mbi drejtësi, respekt dhe gjithëpërfshirje. Dhe ne jemi pjesë e kësaj Evrope.”, - theksoi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
Forumi i organizuar nga Komiteti Ekonomik-Social Evropian në Bruksel shënoi edhe një tjetër moment të rëndësishëm për diskutimin e rolit të qytetarëve dhe organizatave shoqërore në zgjerimin e Bashkimit Evropian, me fokus në ndërtimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe demokratike në Ballkanin Perëndimor.
Në tryezën e rrumbullakët morën pjesë kryetari i EESC-së, Oliver Ropke, ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Majda Gorçeviq, si dhe sekretari shtetëror për BE-në i Spanjës, Fernando Sanpedro. (Armend Murseli, TVM2)
