Akreditimi i Medresesë “Isa Beu”, Shaqiri: Ngjarje historike

17.07.2025 16:51

Një delegacion i lartë nga Qeveria e vendit...

Një delegacion i lartë nga Qeveria e vendit i kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Hapësinor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, i shoqëruar nga kryetarët e partive përbërëse të koalicionit VLEN, Bilall Kasami dhe Zeqirija Ibrahimi, kanë qëndruar për vizitë në Medresenë “Isa Beu” në Shkup, ku janë pritur nga kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqiri ef. Fetai.

Ky i fundit shprehu mirënjohje dhe falënderoi zyrtarët qeveritar me rastin e kalimit të propozim-ligjit për akreditimin e Medresesë “Isa Beu” në Shkup.

“Ne sot me kënaqësi pritëm këtë delegacion të lartë, ju shprehëm falënderimet tona të sinqerta për punën e madhe që e kanë bërë, andaj ne, këtë ditë dhe kalimin e këtij ligji në Qeverinë e RMV, e kemi definuar si një ngjarje historike, sepse përpjekjet tona mbi katër dekada tashmë janë realizuar.”, - deklaroi kryetari i BFI-së RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqiri ef. Fetai.

Mexhiti: Po eliminohet një diskriminim i së kaluarës

Për zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti, me këtë ligj po eliminohet një diskriminim mbi katër dekada, që u është bërë nxënësve të kësaj shkolle.

“Ne erdhëm këtu për ta konstatuar dhe vlerësuar që po eliminohet një diskriminim i së kaluarës, dhe në mënyrë të barabartë do të trajtohen edhe shkolla e mesme e Kishës Ortodokse, por edhe Medreseja “Isa Beu”. Po bëjmë përpjekje dhe jemi në bisedime edhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, që të futet në mënyrë të përshpejtuar që prej shtatorit Medreseja të funksionojë në mënyrë zyrtare dhe legale.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i MMHPH, Izet Mexhiti.

Ibrahimi: Përpiqemi për veprim retroaktiv

Nga ana tjetër, kryetari i partisë Alternativa Zeqirija Ibrahimi, i cili ka qenë edhe iniciuesi i këtij ligji, theksoi se me këtë ligj do të mundësohet që në mënyrë retroaktive t’i japin provimet dhe të regjistrohen në fakultet.

“Me këtë ligj do të mundësohet që në mënyrë retroaktive ata nxënës të cilët e kanë përfunduar medresenë të mund t’i japin ato provime plotësuese, të cilat nuk kanë qenë të parapara në këtë planprogram, i cili do të akreditohet dhe pasi t’i japin ato provime, atyre u lejohet të kalojnë maturën shtetërore dhe pastaj të futen në fakultet.”, - u shpreh Zeqirija Ibrahimi nga VLEN.

Nga Qeveria po ashtu u zotuan se për Medresenë “Isa Beu”, do të parashihen edhe mundësi tjera për zhvillimin e kuadrit dhe rritjes së kualitetit dhe kushteve të punës. (Fitim Kryeziu, TVM2)