Lojërat e fatit, BDI: Anëtarët e VLEN-it janë kumbarë të bixhozit
Partia opozitare BDI, sërish akuzon koalicionin qeverisës shqiptar....

Partia opozitare BDI, sërish akuzon koalicionin qeverisës shqiptar VLEN për mashtrimin e qytetarëve se do t’i mbyllin kazinotë dhe bastoret. BDI konsideron se anëtarët e VLEN-it janë kumbarë të bixhozit, kazinove dhe bastoreve.
Anëtarët e VLEN-it janë pronarë të kazinove dhe bastoreve dhe janë sponsorë të ligjit që mbron dhe legalizon industrinë e tyre.
"Çdo premtim i VLEN-it është një Mega Mashtrim! Edhe mashtrimi i madh që do t’i mbyllin kazinotë dhe bastoret doli në sipërfaqe. Për një vit e gjysmë shtuan kazinotë dhe bastoret dhe tani, me ligj, VLEN-i edhe zyrtarisht u bë kumbar i bixhozit.", - thuhet në kumtesën e BDI-së.
ASh e Taravarit: Mexhiti, i afërt me industrinë e bixhozit
Për këtë çështje kanë reaguar edhe nga Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit. Sipas tyre, pavarësisht retorikës për luftë kundër bixhozit, Izet Mexhiti del të jetë mbrojtësi më besnik i industrisë së lojërave të fatit në Maqedoninë e Veriut.
"Në çdo hallkë të kësaj skeme – nga Lotaria Shtetërore te bastoret e njohura, nga pyjet e shkatërruara në Kozhuf, e deri te koncesionet në Çair – del emri i tij.", - thuhet në kumtesën e ASh-së së Taravarit.
Lojërat e fatit, VLEN: Çmontojmë perandorinë që ndërtoi BDI
Pas akuzave të lartpërmendura nga koalicioni VLEN theksojnë se janë në ballë të betejës kundër lojërave të fatit, duke çmontuar perandorinë e lojërave të fatit që e ndërtoi BDI-ja.
Sipas tyre, miratimi i Projektligjit për Lojërat e Fatit nga Qeveria, shënon ofensivën më vendimtare kundër karteleve të lojërave të fatit.
"Trashëguam një shoqëri në të cilën çdo cep, nga rrugët e fshatrave deri në qendrat e qyteteve, ishte i shënuar nga vitrinat ndriçuese të kazinove dhe pikave të basteve. Mbi 7.000 aparate VLT zbrazën pa mëshirë xhepat e qytetarëve tanë, ndërsa qeveria e mëparshme betohej për "zhvillim ekonomik". Ne po e thyejmë atë rreth vicioz: me këtë ligj, 4.000 aparate do të hiqen, duke e zvogëluar infrastrukturën e lojërave të fatit me të paktën 70%. Ky është vetëm hapi i parë, por i madh drejt një pastrimi të plotë të terrenit. Ligji ndalon reklamat e lojërave të fatit, s’ka më vende agresive që joshin mendjet e të rinjve me premtime verbuese për “fat të shpejtë”.”, - kumtoi koalicioni VLEN, duke shtuar se deri më tani janë bllokuar më shumë se 200 faqe interneti të paligjshme. (Florije Kamberi, TVM2)
