Zgjedhjet lokale, thellohet bashkëpunimi i partive qeverisëse

17.07.2025 17:38

Thellohet bashkëpunimi i partnerëve të koalicionit qeverisës...

Thellohet bashkëpunimi i partnerëve të koalicionit qeverisës në zgjedhjet lokale. Bashkëpunimin parazgjedhor me koalicionin VLEN dhe VMRO-DPMNE-në e konfirmon edhe Lëvizja “E Di” e Maksim Dimitriveskit.

Nga kjo parti thonë se mbështetje të ndërsjellë do të japin për kandidatët për kryetar komunash, ndërkaq të pavarur do të dalin me lista këshilltarësh.

“Kemi marrëveshje me partitë e koalicionit qeverisës se do të mbështetemi midis veti. Grupet e punës janë në fazën përfundimtare, bisedimet deri më tani po shkojnë mirë. Asgjë nuk është konkretizuar, por ideja është se do të nxirren kandidatë në komuna të caktuara, ku partitë tjera qeverisëse do t’i mbështesin, gjegjësisht atje nuk do të kenë kandidat të tyre.”, - deklaroi deputeti i Lëvizjes “E Di”, Boban Karapejovski.

Ndërkohë, pikëpyetje për kundërkandidatin e VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski, në kryeqytet. Socialdemokratët ende pa nominim edhe pse kanë përmendur emrin e arkitektit Mishko Ralev dhe ish-ministres së Ambientit, Kaja Shukova.

VMRO: LSDM nuk ka kandidat për Shkupin

Nga VMRO-DPMNE thonë se opozita maqedonase nuk ka ofertë bindëse.

“Në LSDM po mbretëron paniku, pasi nuk kanë kandidat për kryetar të qytetit të Shkupit. Nuk kanë, pasi që, cilido që të ishte do të humbë zgjedhjet që në rrethin e parë. Të gjitha anketat flasin për humbjen e LSDM-së 5:1.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.

VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë publikuar pjesën më të madhe të kandidaturave. Partitë shqiptare ende në kalkulime dhe analiza për të thënë zyrtarisht kandidatët më të pranueshëm, sipas tyre, për qytetarët. (Meral Ismaili, TVM2)