Punësimi i shqiptarëve, ASh: Gostivari, simbol i përjashtimit institucional

17.07.2025 19:33

Opozita shqiptare e pakënaqur..

Opozita shqiptare e pakënaqur me aktin e punësimit të shqiptarëve në institucione. ASh-ja e Arben Taravarit vë në fokus Gostivarin, duke e cilësuar si simbol të përjashtimit të shqiptarëve nga institucionet. Sipas tyre, në 70 punësime, vetëm 8 janë shqiptarë.

ASh-ja drejton gishtin kah koalicioni VLEN, duke kërkuar edhe hetime mbi punësimet që bëhen.

“Në HEC Mavrovë në Gostivar kanë filluar punën gjithsej 35 persona – 30 maqedonas dhe vetëm 5 shqiptarë. Të hënën pritet të punësohen edhe 30 maqedonas të tjerë. Kjo do të thotë 60 maqedonas përkundrejt vetëm 5 shqiptarëve. Edhe në sferën e sigurisë, padrejtësia është sistematike. Në konkursin e fundit për punësim në Policinë e Gostivarit, kanë kaluar vetëm 3 shqiptarë dhe 10 maqedonas.”, - thuhet në komunikatën e ASh-së së Taravarit.

Ibrahimi: 2.500 punësime dhe avancime brenda një viti

Zeqirija Ibrahimi, njëri nga krerët e koalicionit VLEN, pretendon se niveli i punësimeve është më i lartë krahasuar me cilindo vit qeverisje të ish-pushtetit.

Ibrahimi i bindur se deri para zgjedhjeve lokale do të realizohet punësimi i mbi 2.500 shqiptarëve në institucionet e shtetit.

“Ne e kemi sfiduar opozitën shqiptare që ta zgjedhin cilin vit ata e duan nga qeverisja e tyre prej vitit 2002 deri në vitin 2024 me cilin vit të tyre dëshirojnë të krahasohen për punësimet e shqiptarëve në institucionet e shtetit. Unë jam i sigurt se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në të kaluarën që 2.500 shqiptarë të punësohen dhe të avancohen brenda një viti. Deri më 8 gusht kur mund të shpallen zgjedhjet, të përmbyllet ky proces.”, është shprehur Ibrahimi për agjencinë e lajmeve MIA.

Koalicioni VLEN paralajmëron publikimin e një raporti më të detajuar me emrat e institucioneve, ku kanë ndodhur punësimet dhe avancimet, por vetëm pas përmbylljes së konkurseve, si dhe kontratave të punësimeve.

Periudhën e fundit, punësim më i theksuar i shqiptarëve është bërë në Postat e Maqedonisë, në Drejtorinë për Udhëheqjen e Librave Amë, dogana, si dhe institucione të komunave të drejtuara nga shqiptarë. (Meral Ismaili, TVM2)