Izraeli sulmon institucionet e Sirisë
Lindja e Mesme tanimë si një fuçi baruti...

Lindja e Mesme tanimë si një fuçi baruti. Numri i të vdekurve në Sirinë jugore ka tejkaluar 200, sipas një grupi monitorues. 92 druzë u vranë, përfshirë 21 civilë nga Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme, 93 forca qeveritare dhe 18 beduinë.
Konflikti midis grupit të pakicës fetare druze dhe ushtrisë në Siri ka ngjallur frikën e një pike të re zjarri.
Administrata e presidentit të ShBA-së, Donald Tramp, i ka kërkuar Izraelit të ndalojë sulmet ndaj forcave ushtarake siriane në Sirinë jugore.
Autoritetet në Tel Aviv thonë se duan të mbrojnë pakicën druze, milicia e së cilës është përleshur me forcat qeveritare siriane dhe fiset beduine ditët e fundit.
“Këto janë rivalitete historike dhe të hershme midis grupeve të ndryshme në Sirinë jugperëndimore, beduinëve, komunitetit druz dhe kjo ka çuar në një situatë të pafat dhe një keqkuptim, me sa duket, midis palës izraelite dhe asaj siriane.”, - deklaroi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
Presidenti i përkohshëm i Sirisë ishte i prerë se Izraeli nuk do ta ndajë vendin e tij dhe premton të mbrojë druzët.
"Siria nuk është një vend prove për komplote të huaja, as një vend për të përmbushur ambiciet e të tjerëve në kurriz të gjakut të fëmijëve dhe grave tona. U drejtohem, në veçanti vëllezërve tanë Druzë, të cilët janë një pjesë integrale e strukturës së këtij kombi. Siria nuk do të jetë kurrë një vend për përçarje, fragmentim apo konflikt sektar. Ne pohojmë se mbrojtja e të drejtave dhe lirive tuaja është ndër prioritetet tona kryesore. Ne hedhim poshtë çdo përpjekje - të huaj apo të brendshme - për të mbjellë përçarje në radhët tona.", - theksoi presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmad Al-Shara.
Druzët dhe banorët e tjerë të Damaskut kanë frikë për jetën e të dashurve të tyre. Në një protestë paqësore, ata thanë se kundërshtojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.
"Unë jam pjesë e popullit sirian. Kur ka padrejtësi ndaj një siriani tjetër, atëherë nuk mund të hesht. Jam këtu për të thënë se derdhja e gjakut të një siriani tjetër nga një sirian është e ndaluar.", - tha një i anketuar.
"Ne e hedhim poshtë sulmin ndaj vendit tonë dhe e hedhim poshtë agresionin në përgjithësi. Përballë agresionit, ne jemi të bashkuar. Ne qëndrojmë si një dorë, nga të gjitha sektet, nga të gjitha fetë.", - theksoi një i anketuar.
Nga afërsisht një milion druzë në botë, shumica jetojnë në Siri dhe pjesa tjetër në Izrael dhe Liban, përfshirë Lartësitë e Golanit. (Fitore Demolli, TVM2)
