Druzët vazhdojnë përleshjet me beduinët, reagime rreth sulmeve izraelite në Siri
Përfaqësues të pakicës druze...

Përfaqësues të pakicës druze dhe qeveria siriane me ndërmjetësim të ShBA-së, Turqisë dhe vendeve arabe kanë shpallur ndërprerjen e luftimeve, por gjatë natës kanë vazhduar përleshjet mes druzëve dhe fiseve beduine në Sirinë Jugore.
Kjo detyroi rikthimin e forcave qeveritare, të cilat ishin tërhequr pas marrëveshjes për ndërprerjen e përleshjeve.
Këshilli i sigurisë i OKB-së ka shpallur shqetësim për sulmet izraelite në Siri, si dhe përleshjet mes forcave qeveritare dhe milicisë së pakicës druze, e cila përkrahet nga Izraeli.
“Forcat siriane e shkatërrojnë qëllimin për ndërtimin e Sirisë së re, në paqe me veten dhe rajonin, si dhe në mënyrë shtesë e destabilizojnë vendin në moment të ndjeshëm. Është me rëndësi thelbësore që Izraeli dhe Siria t’i respektojnë marrëveshjet e vitit 1974, për ruajtjen e ndërprerjes së luftimeve ndërmjet të dyja palëve.”, - deklaroi ndihmës sekretari i OKB-së, Haled Kiari.
ShBA-ja nuk i ka mbështetur sulmet izraelite në Siri. Nga departamenti i shtetit thonë se janë në kontakt diplomatik me të dyja vendet.
“Presidenti Tramp e ka paraqitur vizionin e tyre të qartë për Lindje të Mesme stabile dhe Siri në paqe me veten dhe fqinjët e saj.”, - theksoi Tami Brus nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Por, Izraeli ka konfirmuar se ka kryer më tepër se 100 sulme në Siri, gjatë intervenimit në përleshjet mes forcave qeveritare dhe pakicës druze.
“Në Siri veprojmë me vendosmëri që të pengojmë vendosjen e elementeve armiqësore në kufi. Qëllimi ynë i qartë është që t’i mbrojmë qytetarët e shtetit të Izraelit dhe gjithsesi të pengojmë dëmin e bashkësisë druze. Nuk do të lejojmë që Siria Jugore të bëhet strehim i terrorit.”, - u shpreh zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Efi Defrin.
Por, presidenti turk Erdogan ka kritikuar ashpër sulmet izraelite në Siri.
“Ata që ëndërrojnë për hapjen e korridorit ndërmjet jugut dhe veriut të Sirisë nuk do t’i arrijnë qëllimet e tyre.”, - theksoi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Shara, i cili ka punuar për të krijuar marrëdhënie më të ngrohta me ShBA-në, e akuzoi Izraelin se po përpiqet ta përçajë Sirinë dhe premtoi se do ta mbrojë pakicën druze. (Abibe Qaili, TVM2)
