Kasami: 300 milionë euro për projekte lokale, Kasami: 30% shkojnë në komunat shqiptare
Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami...

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka deklaruar se me investimin e mbi 300 milionë eurove, të cilat po investohen në komunat e vendit, kjo Qeveri po ua kthen shtetin qytetarëve, dhe jo vetëm të privilegjuarve.
Sipas tij, komunat shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, sot po marrin mbi 30 për qind të kësaj shume.
“Qeveria VLEN, dje miratoi 828 projekte me vlerë totale prej 225 milion eurosh. Po ashtu vlen të theksohet se për vitin e kaluar Qeveria VLEN ndau 288 projekte me vlerë totale mbi 73 milionë euro. Për dy vjet po investojmë mbi 300 milionë euro në projekte lokale, gjë të cilën më herët nuk e ka bërë askush. Komunat shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, sot po marrin mbi 30 për qind të shumës totale. Andaj po them me plot përgjegjësi se padrejtësia historike që i është bërë shqiptarëve nga qeveritë e kaluara, tanimë ka marrë fund.”, - deklaroi Bilall Kasami nga VLEN.
Kasami po ashtu theksoi se më në fund komunat shqiptare po marrin hisen e tyre nga buxheti shtetëror, edhe pse në pyetjen e gazetarëve Kasami theksoi se nuk mund t’i ndajmë investimet pikë për presje, ku investohet në vendbanime shqiptare e ku maqedonase.
“Sigurisht që Maqedonia është vend multietnik dhe mund të bëjmë një ndarje të pastër se në cilat komuna jetojnë pastër vetëm shqiptarë apo maqedonas apo edhe komunitete tjera, por kemi marrë si parametër komunat ku shqiptarët janë shumicë.”, - theksoi Bilall Kasami nga VLEN.
Kasami po ashtu theksoi se koalicioni VLEN është afër definimit të kandidaturave për zgjedhjet lokale dhe se në komunën e Tetovës, me shumë gjasa do të garojë ai, ndërsa bën të ditur se edhe për komunën e Çairit, pothuajse janë afër vendimit që Izet Mexhiti t’i prijë garës. (Fitim Kryeziu, TVM2)
