BDI: Me konkurse punësimi, VLEN-i manipulon qytetarët
Partia shqiptare në opozitë, BDI....

Partia shqiptare në opozitë, BDI, kritikon koalicionin VLEN për shpalljen e 730 konkurseve publike për punësime në prag të zgjedhjeve, në përpjekje për të manipuluar qytetarët dhe për të blerë përkrahje politike, siç thuhet përballë humbjes së pashmangshme që e pret në tetor.
Asnjë konkurs i lënë i papërfunduar deri në zgjedhje nuk do të mund të rikthejë besimin e qytetarëve ndaj një pushteti që i ka tradhtuar pritjet dhe ka dështuar në çdo angazhim publik, thonë nga BDI. Konsiderojnë se VLEN-i, heqjen e nenit 96 nga Ligji për Policinë, që garantonte përfaqësimin etnik në polici, tani mundohen ta përmirësojnë me amendamente.
"Pas një viti të dështuar në çdo drejtim, pa reforma reale, pa progres në integrimin evropian, pa zhvillim ekonomik, pa përmirësim të standardit jetësor dhe me dështime spektakolare në politikën e jashtme, kjo Qeveri po përpiqet të mbulojë dështimin me mjete të vjetra: punësime parazgjedhore në administratë. Konkurset e shpallura, në vend që të jenë instrument për ndërtimin e institucioneve funksionale dhe profesionale, janë shndërruar në vegla elektorale, të dizajnuara për të krijuar iluzionin e një Qeverie që “po punon”, kur në të vërtetë po dështon në çdo plan.", thonë nga BDI.
ASh e Taravarit: Punësimet e 2.500 shqiptarëve, vetëm në letër
ASh - krahu i Arben Taravarit konsideron se punësimi i paralajmëruar i 2.500 shqiptarëve është vetëm në letër, ndërsa ndahen poste reale vetëm për të afërmit e qeveritarëve të VLEN-it.
"Çdo ditë që kalon shfaqet edhe më qartë tendenca e tyre për të mashtruar opinionin publik, për të justifikuar dështimet e njëpasnjëshme dhe për të mbrojtur interesat personale e familjare në dëm të interesave të shqiptarëve. Pak javë para shpalljes së zgjedhjeve lokale, datë që për ironi u shpall nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, njëri nga zërat më të zhurmshëm të “FLEN-it” në rrjete sociale, por që nuk figuron as në sondazhet më modeste, Zeqirja Ibrahimi, vazhdon të premtojë punësimin e mbi 2.500 shqiptarëve në institucionet shtetërore. Një premtim jo vetëm i pabazë, por edhe juridikisht i pamundur, pasi Ligji për Zgjedhje ndalon qart realizimin e punësimeve gjatë periudhave parazgjedhore.”
VLEN: Kujdesemi për avancimin e shqiptarëve, jo si BDI-ja
Ndërkohë, nga koalicioni në pushtet VLEN, deklarimet e BDI-së i konsiderojnë gënjeshtra ndërsa theksojnë se VLEN-i kujdeset për vendet e punës dhe avancimin e shqiptarëve në administratë. Konsiderojnë se BDI-ja është e njëjta parti që i mbante shqiptarët në pozitat më të ulëta të punës, ndërsa sot sillet sikur shqetësohet për sistemin.
"Për 20 vjet, partia e listave të zeza (BDI) i mbajti shqiptarët në fund të shkallës në administratën shtetërore dhe i përdori vetëm si makineri votimi. Sot, kur Qeveria më në fund po hap mundësi edhe për shqiptarët që të punësohen dhe të avancojnë, pikërisht BDI është e para që ngre panik. BDI-së nuk i pengojnë punësimet në administratë, por i pengon punësimi i shqiptarëve. I pengon sepse po u bien poshtë të gjitha trillimet dhe gënjeshtrat kundër VLEN-it. Pushtetin e vet e ndërtuan duke sakrifikuar interesin kombëtar shqiptar.".
Varfëria, shpërngulja dhe mungesa e perspektivës janë trashëgimi e qeverisjes së BDI-së. Deri dje thoshin se shqiptarët janë të margjinalizuar në administratë, kurse sot qajnë sepse shqiptarët më në fund po konkurrojnë për ato vende pune, shtojnë nga koalicioni VLEN. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
