Kontesti maqedono–bullgar, Maqedonia fton Bullgarinë për rezolutë
Maqedonia e fton Bullgarinë...

Maqedonia e fton Bullgarinë të dorëzojnë rezolutë të përbashkët në Parlamentin Evropian me të cilën do të konfirmohej identiteti dhe gjuha maqedonase, nëse problemi i vetëm i Sofjes zyrtare është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë.
Milloshovski: Rezoluta do të zhbllokonte integrimin
Kryeministri Hristijan Mickoski ofertën ia ka bërë presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, dhe qeverisë bullgare, thotë nënkryetari i Parlamentit, Antonio Milloshovski. Ai konsideron se me një veprim të tillë të menjëhershëm do të zhbllokohej rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut.
“Që tani mund të dorëzojmë rezolutë të përbashkët, ta përforcojmë bashkëpunimin e ndërsjellë në këtë plan dhe të zgjidhim problemin e nisjes së eurointegrimeve. Oferta që është dhënë nga kryeministri Mickoski është e hapur. Megjithatë kemi një dozë skepticizmi nëse kjo kërkesë do të pranohet nga Sofja zyrtare, pasi që atë që po shohim te fqinji lindor, posaçërisht te disa përfaqësues qeveritarë, duket sikurse kanë qëllime të tjera.”, - deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO – DPMNE.
Hapja e Kushtetutës, sipas Milloshovskit, për shumë përfaqësues qeveritarë bullgarë është vetëm pikënisje e kërkesave dhe preteksteve për bllokada të mëtejme. Milloshovski madje thotë se një pjesë e autoriteteve bullgare është e ndihmuar nga disa përfaqësues të LSDM-së.
Sipas presidentit bullgar, Radev, kontesti dypalësh nuk do të ekzistonte nëse Maqedonia e Veriut do t’i kushtonte më shumë vëmendje të drejtave të bullgarëve në Maqedoni, duke rikujtuar edhe njëherë Shkupin zyrtar se do të duhet të përmbushë obligimet e ndërmarra të vitit 2022.
Por, për Mickoskin, rezoluta do t’i jepte fund çështjeve të hapura dhe mosmarrëveshjeve, të cilat me vite po ngarkojnë rrugën evropiane të Maqedonisë.
Madje partia e Mickoskit ka përgënjeshtruar pretendimet e një media bullgare se Mickoski ka aplikuar për pasaportë bullgare gjatë vitit 2008, por më pas ka hequr dorë.
Sipas VMRO – DPMNE-së, pretendimet e tilla janë propagandë bullgare kundër Maqedonisë, VMRO – DPMNE-së dhe Mickoskit, për të dëmtuar pozicionet maqedonase. (Meral Ismaili, TVM2)
