Edicioni i 5-të i festivalit “Struga Fest”, pjesëmarrëse, sopranoja Inva Mula

18.07.2025 18:34

“Struga Fest” shënoi edicionin e 5-të...

“Struga Fest” shënoi edicionin e 5-të, të saj me një mbrëmje të paharruar artistike, duke sjellë në skenë sopranon me famë botërore, Inva Mula; pianistin brilant, Genc Tukiçin dhe korin “Okarina”.

“Asnjë strugan nuk duhet ta lërë këtë rast. Edhe unë lashë gjithçka vetëm për ta dëgjuar nga afër këtë zë të mrekullueshëm që s’e kemi shpesh.”, - theksoi Besime Jonuzi.

Publiku strugan tregoi edhe njëherë se di ta vlerësojë artin dhe artistin e vërtetë.

“Është nder dhe privilegj që Inva Mula vjen në Strugë e në Maqedoni. Ajo është krenaria jonë që ka përfaqësuar kombin në skenat më të mëdha të Evropës.”, - u shpreh Edip Lloga.

Koncerti u prit me entuziazëm dhe emocion, duke ndezur atmosferën kulturore të qytetit.

“Përgëzime për organizatorët që sollën këtë yll ndërkombëtar në qytetin tonë, një gërshetim magjik me Genc Tukiçin dhe korin “Okarina”, që pritet me emocion nga publiku.”, - theksoi Jelldëz Asani.

“Struga është qyteti i artit dhe poezisë dhe Inva Mula i dha këtij festivali një shkëlqim dhe solemnitet të veçantë në këtë përvjetor të rëndësishëm.”, - u shpreh Bekim Qoku.

Festivali nuk është vetëm një ngjarje, është një frymë që bashkon qytetin me diasporën dhe turistët.

“Ky festival është një vlerë e shtuar për Strugën. Duhet të kemi më shumë aktivitete të tilla gjatë sezonit, bashkë mund të sjellim më shumë jetë kulturore në qytet.”, - deklaroi kryetari i Odës Ekonomike Veriperëndimore, Mendi Qyra.

Struga mbetet qytet i artit dhe kulturës dhe këtë e dëshmoi më së miri publiku strugan në edicionin e 5-të të festivalit “Struga Fest”, me një prani të ngrohtë dhe entuziaste në një mbrëmje të paharruar artistike. (Fitore Istrefi, TVM2)