BE sanksione të reja kundër Rusisë
Vendet e Bashkimit Evropian...

Vendet e Bashkimit Evropian janë pajtuar për miratimin e një pakete të re sanksionesh kundër Rusisë, për shkak të luftës së saj në Ukrainë, si dhe për uljen e çmimit të lartë për eksportet e naftës ruse.
Paketa e 18-të e ndëshkimeve ekonomike ndaj Rusisë prej se ajo e nisi pushtimin e vendit fqinj më 2022, u miratua pasi Sllovakia hoqi dorë nga kundërshtimi disa javor, pas bisedimeve me Brukselin lidhur me planet për t’i hequr gradualisht importet e gazit rus.
“BE-ja sapo miratoi një nga paketat më të forta të sanksioneve kundër Rusisë deri më tani.”, tha shefja e Politikës së Jashtme e BE-së, Kaja Kallas.
“Çdo sanksion dobëson aftësinë e Rusisë për të bërë luftë. Mesazhi është i qartë: Evropa nuk do të tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën. BE-ja do të vazhdojë të rrisë presionin derisa Rusia të ndalojë luftën.”, shtoi ajo.
Si pjesë e sanksioneve të reja që synojnë t’i dobësojnë financimet për luftën e Rusisë, diplomatët thanë se BE-ja është pajtuar ta ulë çmimin tavan për naftën ruse të eksportuar në vendet e treta 15 për qind nën vlerën e tregut.
Për pakon e re të sanksioneve ndaj Rusisë, aleatët e BE-së nuk arritën ta bindin presidentin amerikan, Donald Tramp, që ta mbështesë planin.
