Rajon
Kosovë për herë të 49-të dështuar konstituimi i kuvendit
19.07.2025 13:52
Për herë të 49-të sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës...

Për herë të 49-të sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati. Nga 90 deputetë të pranishëm, 50 votuan pro, ndërsa nuk u shënuan vota kundër apo abstenime. Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, para nisjes së seancës, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka arritur një marrëveshje në parim me Listën Serbe dhe Nismën Socialdemokrate. Ai ka theksuar se nuk do të ketë votë për kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
“Që nga fillimi e kemi thënë që këta kanë një marrëveshje. Limaj e ka pranuar edhe vetë që janë takuar disa herë. Po, sigurisht nëse ata bien në dakordancë, votën time personale Limaj nuk do ta ketë.”, u shpreh Lahi Brahimaj nga AAK.
Por për dallim nga AAK, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Jakup Nura tha se pret që PDK ta mbështesë Fatmir Limën për kryetar kuvendi.
“Ka kaluar 3 muaj dhe ne duhet të reflektojmë si deputet të gjithë. Mendoj se PDK do ta votojë Fatmir Limën për kryeparlamentarë. Fatmir Limaj një kohë e ka treguar një aset të cilin e vlerësoj shumë dhe për me pas një pozitë shtetërore mendoj që njeriu së pari duhet ta dojë këtë vend. Un mendoj që Fatmir Limaj e do këtë vend.”, u shpreh Jakup Nura nga PDK.
Kryesuesi i seancës Avni Dehari ndërpreu punimet, duke njoftuar se seanca e 50-të do të vazhdojë të hënën, më 21 korrik.
FLORIJE BELULI KAMBERI
