Maqedoni
ASh akuzon Qeverinë për spastrim etnik në polici
19.07.2025 14:35
Aleanca për Shqiptarët akuzon Qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE se po kryen spastrim të shqiptarëve nga policia...

Aleanca për Shqiptarët akuzon Qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE se po kryen spastrim të shqiptarëve nga policia, pas, siç thonë, "kapjes së plotë të institucioneve shtetërore”. Sipas ASH-së, propozimi për të shfuqizuar nenin 96 i cili garanton përfaqësim të drejtë etnik dhe gjinor si dhe lejimi i punësimeve pa konkurs, janë masa që synojnë favorizimin e maqedonasve dhe militantëve partiakë të VMRO-DPMNE-së.
“Me ndryshimet e reja të propozuara në Kuvend, fshirja e nenit 96 që parasheh përfaqësimin e drejtë etnik dhe gjinor, nuk është i vetmi ndryshim që godet shqiptarët. Përveç kësaj, në propozim parashihet që policia të mund të realizojë edhe punësime pa konkurs. Kur kemi parasysh qasjen e deritanishme të kësaj qeverie, kuptohet lehtë se punësimet pa konkurs do të bëhen vetëm për maqedonas dhe militantë partiak të VMRO-së.”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
LSDM: Toshkovski po e shndërron MPB-në në polici partiake të VMRO-DPMNE-së
Nga ana tjetër edhe LSDM akuzon ministrin e punëve të brendshme Panco Toshkovskin se po e shëndron ministrinë në polici partiake të VMRO-DPMNE-së.
“Në procedurë parlamentare është vendosur një projektligj i paparë dhe skandaloz, që përfaqëson një nga veprimet më të rrezikshme dhe antishtetërore të ministrit Pançe Toshkovski. Qëllimi është partizimi i plotë i policisë përmes shkatërrimit të sistemit të karrierës. Nikolla Gruevski dhe Sasho Mijallkov duken si fëmijë të pafajshëm krahasuar me atë që Toshkovski synon të bëjë me sistemin e sigurisë. Me Ligjin e propozuar për Policinë, Toshkovski synon ta politizojë plotësisht policinë, duke e rrënuar sistemin profesional dhe të karrierës brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.”, u shpreh Bogdananka Kuzevska nga LSDM.
Nga opozita kërkojnë menjëherë dhe urgjentisht të tërhiqen të gjitha ndryshimet e kontestuara.
ARMEND MURSELI
