Maqedoni
LSDM: Pensionistët të mashtruar
19.07.2025 14:48
Rritja e paralajmëruar prej 1.000 denarësh për pensionet këtë vjeshtë ka shkaktuar përplasje mes opozitës dhe qeverisë...

Rritja e paralajmëruar prej 1.000 denarësh për pensionet këtë vjeshtë ka shkaktuar përplasje mes opozitës dhe qeverisë. Nga LSDM akuzojnë VMRO-DPMNE-në për, siç thonë, mashtrim të pensionistëve. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, thotë se qeveria nuk ka përmbushur premtimin për rritje prej 2.500 denarësh dhe se pensionistët janë, sipas saj, “brutalisht të mashtruar”. Sipas LSDM-së, kjo është një tjetër shkelje e premtimeve nga ana e VMRO-DPMNE-së, ndërsa përgjegjësinë duhet ta mbajnë publikisht para qytetarëve.
“Kostoja e jetesës është rritur me mbi 6,000 denarë gjatë vitit të kaluar. Në vend të përmirësimit të qëndrueshëm dhe të drejtë të standardit të pensioneve me rritje të vazhdueshme të pensioneve, shohim zgjidhje "ad hoc", populiste dhe të dëmshme për pensionistët që diktohen vetëm nga nevojat e përditshme politike të qeverisë.”, tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Paralajmërohet rritje prej 2000 denarë
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE e quan kritikat manipulime të LSDM-së. Ata thonë se Qeveria ka realizuar tashmë një rritje prej 5.000 denarësh për një vit për të gjithë pensionistët, dhe se do të vijojë me një rritje të re prej 2.000 denarësh, në dy faza.
“Aktualisht, Qeveria e VMRO-DPMNE-së po punon në një analizë për t’i rritur sërish pensionet, këtë vjeshtë me nga 1.000 denarë, dhe edhe 1.000 denarë shtesë në pranverë. Kjo do të thotë edhe 2.000 denarë rritje lineare për të gjithë pensionistët në periudhën e ardhshme. Këtë e ka paralajmëruar kryeministri Hristijan Mickoski dhe do të realizohet tashmë me rritjen e ardhshme të pensioneve në vjeshtë. Pensionistët e mbështesin politikën e VMRO-DPMNE-së.”, thonë nga VMRO-DPMNE.
VMRO-DPMNE shton se politika e tyre po merr mbështetje edhe nga Partia e Pensionistëve, e cila tashmë është larguar nga koalicioni me LSDM-në dhe i është bashkuar qeverisë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
