Maqedoni
Zgjedhjet lokale, Gjorgjievski dhe Shukova në garë për Shkupin
19.07.2025 15:03
Orce Gjorgjievski dhe Kaja Shukova do të përballen në garën për postin e kryetarit të Qytetit të Shkupit në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor....

Orce Gjorgjievski dhe Kaja Shukova do të përballen në garën për postin e kryetarit të Qytetit të Shkupit në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor. Të dy kandidatët janë zyrtarizuar tashmë për këtë pozicion, që pritet të jetë një ndër garat më të ndjekura të procesit zgjedhor. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, dje e shpalli zyrtarisht vendimin e Bordit Ekzekutiv të partisë për kandidatët për kryetarë komunash në 16 komuna, përfshirë edhe kandidaturën e Kaja Shkovës për Shkupin.
VMRO-DPMNE: Kandidatura e Shukovës, dëshmi e dështimit
Shpallja kandidaturës së Shukovës ka ngjallur reagime nga ana e partisë në pushtet VMRO-DPMNE. Sipas tyre varshmëria e Filipçes nga politikat e Zaevit e detyron atë të propozojë ose persona me të kaluar kriminale, ose figura të pa identifikueshme dhe të paafta për zgjedhjet lokale që po afrojnë, pasi të gjithë të tjerët e refuzonin për të hyrë në këtë garë. Ata kritikojnë punën e Shukovës si ish ministre e cila nuk ka arritur të bëjë asgjë, andaj parashtrojnë pyetjen se çfarë mund të bëjë ajo për Shkupin.
“LSDM nën udhëheqjen e Venko Filipçes tregoi vetëm një gjë, që gjithmonë mund të shkohet më poshtë, se fundi është gjithnjë e më i thellë. Filipçe është si rëra e gjallë, vetëm e tërheq poshtë partinë. Kjo u pa në këtë periudhë të fundit kur askush nuk pranonte të ishte kandidat për asnjë komunë, veçanërisht për Shkupin, ku askush nuk donte të hynte në garën për kryetar komune, ndaj pas një sërë emrash të njohur që dukshëm i nxirrte nga koka, u detyrua të dalë me Kaja Shukovën, ose ajo të bëhej viktima.”, Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Kaja Shukova: Kam zgjidhje për një Shkup të sigurt, të pastërt
Në paraqitjen e parë publike pas kandididimit, Kaja Shukova ta se kandidohet të jetë kryetare për të gjithë shkupjanët pavarësish se cilën parti e mbështesin. Ajo zotohet se do të ofrojë zgjidhje për një kryeqytet të pastërt, ku do të përmirësojë trafikun urban, do të ndërpesë kaosin urbanistik, ndërsa do të punojë edhe në insfrastrukturë, kulturë etj. Akuzoi VMRO-DPMNE për kaosin aktual në kryeqytet.
“Shkupi nuk duhet të presë. As unë nuk do të pres. Veçse kemi filluar me aktivitete që do të tregojnë se kjo nuk është vetëm një fushatë, kjo do të jetë një rikthim i përbashkët i Shkupit tek qytetarët. I ftoj të na bashkohen më të mirët, më të motivuarit që me sinqeritet e duan qytetin. Shkupi ka profesionistë të shkëlqyer në të gjitha fushat, pikërisht ata do të jenë shtylla për rikthimin e shkëlqimit të qytetit.”, u shpreh Kaja Shukova, kandidate për qytetin e Shkupit nga LSDM.
VMRO-DPMNE deri më tani ka shpallur 40 kandidatura, ndërsa LSDM 46. Dy kandidatë të pavarur kanë shpallur gjithashtu kandidaturat e tyre - kryetari aktual i Koçanit, Venko Krstevski, dhe biznesmeni Mendi Qyra në Strugë I cili do të mbështet nga koalicioni VLEN. Lideri i VMRO-DPMNE dhe kryeministri Mickoski nuk zbulon se në cilat komuna partnerët e koalicionit VLEN dhe "E di" do të marrin mbështetjen e tyre, por thotë se negociatat brenda partnerëve të koalicionit po vazhdojnë.
Edhe pse deri më tani zyrtarisht asnjë nga partitë shqiptare nuk kanë shpallur kandidatë të konfirmuar për kryetarë komunash për zgjedhjet lokale të Tetorit 2025, Zekirja Ibrahimi nga VLEN, ditë më parë ka deklaruar se Bilall Kasami pritet të garojë në zgjedhjet lokale edhe për një tjetër mandat në Tetovë ndërsa në komunën e Zhelinës pritet të kandidohet Blerim Sejdiu. Procesi është akoma në fazën e brendshme konsultative dhe pritet të finalizohet së shpejti. Edhe në Frontin Evropian përzgjedhja e kandidatëve pritet të finalizohet së shpejti.
FLORIJE BELULI KAMBERI
