Maqedoni
Zgjedhjet lokale, Rama: Fokusi të jetë te kandidati, jo te partia
19.07.2025 15:37
Zgjedhjet lokale që pritet të shpallen brenda tre javësh, sipas analistit politik Ariton Rama, nuk do të kenë vetëm karakter lokal....

Zgjedhjet lokale që pritet të shpallen brenda tre javësh, sipas analistit politik Ariton Rama, nuk do të kenë vetëm karakter lokal. Ai vlerëson se ato do të shndërrohen në një përballje të koalicioneve të mëdha, ku secila palë do të përpiqet të konfirmojë legjitimitetin politik te elektorati. Në këtë drejtim, Rama pret që kandidatët do të trajtojnë tema që shpesh tejkalojnë kompetencat e një vetëqeverisjeje lokale.
“Nuk duhet të jetë fokusi te partitë politike, por duhet të jetë te kandidaturat, te kandidatët, të jenë më kreativë, më sipërfaqësor, më i kuptueshëm për problemet lokale, më me ide konkrete dhe reale brenda vendit tonë. Në të gjithë komunat e Maqedonisë së Veriut ende nuk po definohet një kandidate I cili, realisht është kandidat që merret vetëm me zgjedhjet lokale dhe e dyta të ofrojë diçka që ka të bëjë me perspektivën dhe prosperitetin global ndërkombëtar si një lloj standardi i ri.”, u shpreh analisti politik Ariton Rama.
Pavarësisht afrimit të afatit për shpalljen zyrtare të zgjedhjeve, partitë politike shqiptare ende nuk i kanë zyrtarizuar shumicën e kandidatëve për kryetarë komunash. Në opinion qarkullojnë disa emra të mundshëm, por pa konfirmim zyrtar. Rama këtë e sheh si një strategji për të matur simpatinë e kandidatëve potencialë deri në momentin e fundit.
“Tash është bërë klishe në Maqedoninë e Veriut ku nxirren paraprakisht emrat të cilët mund të jenë kandidatë potencial për komunat tona dhe mandej lëshohen me anë të spinit për matje të rejtingu. Unë mendoj se kjo është një lloj standardi politik, jo vetëm në vendin tonë, por në përgjithësi.”, tha Rama.
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut pritet të mbahen në muajin tetor.
ERSAN PAJAZITI
