Botë

Lindja e Mesme, Izraeli dhe Hamasi në bisedime për armëpushim

19.07.2025 16:55

Dhjetë pengje në Gaza do të lirohen së shpejti, thotë presidenti amerikan...

Dhjetë pengje në Gaza do të lirohen së shpejti, thotë presidenti amerikan. Përfaqësues nga Izraeli dhe Hamasi po marrin pjesë në një raund të ri bisedimesh për armëpushim në Doha mbi një propozim të mbështetur nga SHBA-të për një armëpushim 60-ditor.
 
"Në Gaza, ne kemi kthyer shumicën e pengjeve. Do të kemi dhjetë të tjerë së shpejti dhe shpresojmë ta bëjmë këtë shumë shpejt. Dhe Steve Wyckoff ka qenë fantastik. Ai ka bërë një punë të shkëlqyer. Ai është një njeri shumë i mirë, një njeri i mirë në bërjen e marrëveshjeve.", u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
 
Kryeministri izraelit ka shprehur keqardhje për incidentin tragjik në të cilin u godit kisha e vetme katolike në Gaza. Papa Leo XIV përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim të menjëhershëm. Udhëheqësit e kishës nga Jerusalemi, në një vizitë të rrallë në enklavë në një shfaqje solidariteti, bënë thirrje për paqe.
 
"Ne bëjmë thirrje për një paqe shumë të shpejtë në Gaza sepse kemi nevojë për të. Njerëzit nuk duan të jenë emigrantë, njerëzit duan të qëndrojnë në Gaza sepse është shtëpia e tyre, është vendi i tyre, vendi i tyre.", u shpreh kryepeshkopi ortodoks grek, Alexios.
 
“Situata jonë ku jetojmë në Jerusalem nuk është aq e lehtë dhe po ndjekim atë që po ndodh, por jemi mirënjohës, mbi të gjitha, ndaj priftërinjve tanë që shërbejnë këtu.”, u shpreh Patriarku i Jerusalemit, Teofili III.
 
Ndërkohë, Uashingtoni konfirmoi se në Siri ishte arritur një armëpushim pas përleshjeve të ripërtërira midis Druzëve, anëtarëve të fiseve beduine dhe forcave qeveritare siriane. Ai u bëri thirrje palëve të përfshira të ulin armët. Megjithatë, klanet beduine janë mobilizuar për t'u bashkuar me luftimet. Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, më shumë se 700 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë në trazira.
 
“Raportet e marra nga zyra jonë tregojnë shkelje dhe abuzime, duke përfshirë ekzekutime dhe vrasje arbitrare, rrëmbime, shkatërrim të pronës private dhe plaçkitje shtëpish në qytetin jugor të Suwayda. Autorët e dyshuar përfshijnë anëtarë të forcave të sigurisë dhe individë të lidhur me autoritetet e përkohshme, si dhe grupe të tjera të armatosura në zonë, duke përfshirë Druzët dhe Beduinët.”, u shpreh zëdhënësja e zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, Ravina Shamdasani.
 
Uashingtoni këmbëngul se nuk i ka mbështetur sulmet ajrore izraelite në Siri. Departamenti i Shtetit thotë se është në kontakt diplomatik me të dyja palët, si për të zgjidhur krizën aktuale, ashtu edhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme midis dy shteteve sovrane.
 
ARMEND MURSELI