Maqedoni
Arsim, Aziri: Një vit ndryshime dhe reforma
19.07.2025 17:17
Një vit pas formimit të Qeverisë së re, sektori i arsimit në vend ka hyrë në një fazë të re zhvillimi...

Një vit pas formimit të Qeverisë së re, sektori i arsimit në vend ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, me reforma konkrete dhe investime të mëdha që synojnë të krijojnë një sistem arsimor funksional, të drejtë dhe gjithëpërfshirës thotë zëvendës Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aziri. Nga librat e dorëzuar në kohë, deri te investimet milionëshe në shkolla dhe kampuse universitare, rritjen e pagave për mësimdhënësit, ky është një transformim që sipas qeverisë, nuk ka ndodhur prej dekadash.
“Për herë të parë pas shtatë vitesh, viti shkollor ka nisur me të gjitha tekstet e dorëzuara me kohë. Janë shpërndarë mbi 1 milion kopje librash në të gjitha shkollat, përfshirë tituj të rinj për lëndët që më parë nuk kishin materiale mësimore. Kur jemi te tekstet shkollore për herë të parë në arsimin shqip e futëm Abetaren e Përbashkët Kombëtare... Kemi iniciuar një cikël investimesh prej 32 milionë eurosh për ndërtimin dhe rikonstruktimin e shkollave, konvikteve dhe sallave sportive. Po ndërtohet kampusi i ri universitar Nënë Tereza në Shkup me shumë prej 35 miljon euro, ndërsa në 50 shkolla po instalohen sisteme për energji të pastër.”, u shpreh zëvendës Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aziri.
Qeveria e konsideron këtë vetëm si fillimin e një procesi shumë më të gjerë transformimi në arsim. Synimi është i qartë: arsim për çdo fëmijë, pa përjashtim, dhe dinjitet për çdo mësues dhe profesionist të dijes
FLORIJE BELULI KAMBERI
