Maqedoni

Janevska: Nuk ka kushte për punësim të përhershëm të asistentëve arsimorë

20.07.2025 12:54

Për shkak të ndërrimit të shpeshtë të asistentëve arsimorë dhe punësimit të tyre të përkohshëm për fëmijët me nevoja të veçanta...

Për shkak të ndërrimit të shpeshtë të asistentëve arsimorë dhe punësimit të tyre të përkohshëm për fëmijët me nevoja të veçanta, prindërit kanë kërkuar që ata të punësohen në mënyrë të përhershme, kjo pasi  ndryshimet e shpeshta të asistentëve arsimorë krijojnë rrezik për regres në procesin arsimor të fëmijëve të tyre. Megjithatë, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë theksoi se kjo nuk është e realizueshme, pasi nevojat nëpër shkolla ndryshojnë nga viti në vit dhe, për këtë arsye, nuk mund të garantohet një punësim i qëndrueshëm.
 
“Mesazhi im për prindërit është të jenë të qetë. Ministria, e cila është përgjegjëse për qendrat burimore që shpallin konkurset për asistentë arsimorë, është në komunikim dhe kryen mbikëqyrje të caktuar. Megjithatë, prindërit duhet të dinë se fillimisht janë shkollat ato që raportojnë sa asistentë arsimorë u nevojiten. Për këtë duhet kohë së pari të regjistrohen fëmijët, pastaj shkollat të përcaktojnë sa fëmijë me nevoja të veçanta arsimore kanë, në mënyrë që të raportojnë te qendra burimore. Asistentët arsimorë nuk janë të punësuar në mënyrë të përhershme. Arsyeja është se nevojat për ta ndryshojnë çdo vit. Nëse rriten nevojat, ne e rrisim edhe numrin e asistentëve.”, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Janevska tha se nuk dëshiron të japë “shpresa të rreme” për punësim të përhershëm të asistentëve arsimorë, por thotë se nëse krijohet mundësia për këtë, ajo do ta mbështesë. Ajo kritikoi politikën e “inkluzionit” të ministrave të mëparshëm, e cila parashihte që të gjithë fëmijët me nevoja të posaçme të ndjekin mësimin në klasa të rregullta pa mbështetje të mjaftueshme.
 
“Defektologët, psikologët dhe punonjësit socialë duhet të përfshihen drejtpërdrejt në rastet kur nuk ka asistent të disponueshëm. E di që kjo është një temë delikate. Prandaj i mbajtëm drejtorët e qendrave resurse, të emëruar nga qeveria e mëparshme, për shkak të ekspertizës dhe përvojës së tyre. Ata do të përballen me situata konkrete.”, u shpreh Janevska.
 
Aktualisht janë të angazhuar 1,876 asistentë arsimorë për arsimin fillor, ndërsa për arsimin e mesëm janë parashikuar rreth 150 asistentë, për të cilët janë siguruar edhe mjetet financiare.
 
ARMEND MURSELI