Maqedoni
Temperaturat e larta në vendin tonë, mjekët apelojnë për kujdes më të madh
20.07.2025 13:31
Nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë përkeqësim të sëmundjeve kardiovaskulare, të diabetit ose atyre të frymëmarrjes...

Vendi ynë po përballet me temperature të larta, “nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë përkeqësim të sëmundjeve kardiovaskulare, të diabetit ose atyre të frymëmarrjes”, thotë mjeku Shpejtim Rexhepi.
“Temperaturat e larta mund të ndikojnë tek më të moshuarit, ku mund të sjellin disa momente shëndetësore si ata të çrregullimit të tensionit të gjakut, çrregullimit të sëmundjes së sheqerit për atë arsye është mirë që të evitohen lëvizjet ose daljet e tyre pa nevojë. Mirë është sidomos te fëmijët e vegjël dhe te gratë shtatzëna dhe pacientët që janë me komorbiditete sikur që e kemi popullatën më të moshuar ku kanë sëmundje të ndryshme anësore mirë është që mos të dalin prej orës 11 deri në 17 që të ekspozohen ndaj rrezeve të diellit ku arrijnë temperaturat deri në 40 gradë Celsius.”, u shpreh mjeku Shpejtim Rexhepi.
Në temperaturat e larta qytetarët duhet të kujdesen edhe për veshjet e tyre dhe të mbrohen me krem kundër diellit për, mbrojtje ndaj rreze ultra vjollcë, potencon mjeku Shpejtim Rexhepi.
“Mirë është të mbahen kapela mbrojtëse ndaj diellit, gjithashtu mirë është të vishet me diçka më të lehtë, me ngjyra më të hapura dhe organizmi të konsumojë sa më shumë lëngje. Punët e tjera mirë është të kryhen në orët e mëngjesit.”, tha Rexhepi.
Mjeku Rexhepi rekomandon që në këtë periudhë të nxehtë të konsumohen më shumë lëngje, kryesisht ujë, të konsumohen pemët dhe perimet e kësaj stine, të largohen ushqimet e rënda, karbohidratet, të përdoren ushqimet që përmbajnë sa më shumë vitamina dhe minerale.
VLORA LATIFI TOPOJANI
