Maqedoni

Autostrada Shkup–Bllacë, VLEN: Nis finalizimi i rrugës së shumëpritur

20.07.2025 13:53

Rruga Shkup–Bllacë si një nyje infrastrukturore me rëndësi strategjike, mbetet një pikë përplasjesh politike mes dy forcave kryesore shqiptare në vend...

Rruga Shkup–Bllacë si një nyje infrastrukturore me rëndësi strategjike, mbetet një pikë përplasjesh politike mes dy forcave kryesore shqiptare në vend. Nga koalicioni qeverisës VLEN, theksojnë se një nga rrugët më të rëndësishme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, aksi Shkup–Bllacë, po hyn në fazën përfundimtare të realizimit dhe për këtë janë shpallur procedurat për prokurimin publik të fazës përgatitore për ndërtimin e segmentit të mbetur të kësaj rruge strategjike që lidh Shkupin me kufirin e Kosovës. Sipas tyre ky është një hap konkret që dëshmon vullnetin për t’i dhënë fund dekadave të premtimeve të parealizuara. Konsiderojnë se për herë të parë po punohet me seriozitet për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për shqiptarët.
 
“Pas zhvatjes së pafundme dhe ngecjes së qëllimshme nga qeverisjet e kaluara, më në fund po i japim fund manipulimeve me këtë projekt. Në vend të fasadës e propagandës, sot kemi veprim, vendosmëri dhe rezultate. Vetëm një vit pas hyrjes në Qeveri, VLEN po prodhon zgjidhje dhe jo alibi, zhvillim dhe jo shou politik. Ky është vetëm fillimi i një epoke të re për infrastrukturën shqiptare, epoka e llogaridhënies dhe punës konkrete. Për shumë vite me radhë, projekti Shkup–Bllacë u përdor si mjet zgjedhor, u stërpërdor për marketing politik, por sot, situata ka ndryshuar.”, thuhet në kumtesën e VLEN. 
 
BDI: Autostrada, peng i lojërave politike të Qeverisë
 
Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër, duke akuzuar Qeverinë për "sabotim të qëllimshëm të projektit. VLEN, në vend që të mbrojë interesin e shqiptarëve, po zbaton agjendën politike të VMRO-së,” theksojnë nga BDI.
 
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë për sabotimin sistematik të projektit të Autostradës Shkup – Bllacë, një lidhje strategjike jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë rajonin dhe partneritetin tonë me Republikën e Kosovës. Edhe pse më shumë se dy kilometrat e para janë përfunduar me sukses gjatë qeverisjes së kaluar, kjo Qeveri vazhdon të refuzojë hapjen e tyre për përdorim publik, fillimisht duke premtuar gjoja një “revision teknik”, e tash duke deklaruar fillimin e një “procedurë të re për prokurim publik.”, thuhet në kumtesën e BDI.
 
Megjithatë, BDI premton se pas zgjedhjeve të tetorit, do të rikthehet në qeverisje dhe do të përfundojë projektet madhore, përfshirë edhe autostradën Shkup-Bllacë, për të cilën thotë se është thelbësore për zhvillimin rajonal dhe integrimin evropian. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI