Maqedoni

Në temperaturat përvëluese transporti publik mbetet sfidë për qytetarët

20.07.2025 14:14

Në kulmin e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin tonë, transporti publik vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore të përditshmërisë për qytetarët...

Në kulmin e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin tonë, transporti publik vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore të përditshmërisë për qytetarët. Numri i kufizuar i autobusëve, vonesat e shpeshta dhe mungesa e kushteve elementare për pasagjerët, po e bëjnë lëvizjen në qytet gjithnjë edhe më të vështirë, sidomos për ata që nuk kanë alternativë tjetër për të lëvizur. Për shumë banorë të Shkupit, nga punonjësit e zyrave deri te të moshuarit apo studentët, një udhëtim i zakonshëm është kthyer në provë durimi pasi veç  pritjes nëpër stacione në këtë vapë, vonesa e autobusëve apo kushtet brenda autobusëve jo vetëm që shkakton parehati por shpesh bëhet i padurueshëm.
 
“Nuk ka kondicioner nëpër autobusë, shumë është vapë e madhe ndërsa në autobusët privat nuk ka as dritare.”, u shpreh një qytetare.
 
“Po ja që 15 minuta po pres, ende ska. Tash në këtë valë të nxehtë nuk është e përballueshme.”, tha një qytetar.
 
“Un normal ec në këmbë po tash e ngarkuar prej nē treg po pres autobus, e tash nvaret, ndonjëherë duhet të pres shumë për autobus.”, u shpreh një qytetare.
 
“Po shumë po pritet ja edhe ka shumë ngarkesë. Ja 20 minuta po presim. Autobusi me nr2 dhe 8 ende nuk ka...duhet të zgjidhet edhe ky problem.”, tha një qytetare.
 
Disa prej tyre thonë se presin deri në 20 apo 30 minuta një autobus, ka të tillë që nuk vijnë fare. Pas gjithë këtyre reagimeve të qytetarëve, pyetja që shtrohet natyrshëm është: A do të ketë ndonjë reagim ndërhyrje konkrete nga institucionet për të përmirësuar qoftë përkohësisht kushtet në transportin publik gjatë valës së të nxehtit?
 
ARDITA IMERI