Maqedoni

Eurointegrimet, Sofia pa përgjigje për rezolutën e përbashkët

20.07.2025 15:03

Ende nuk ka përgjigje zyrtare nga Bullgaria për ti garantuar Maqedonisë se do t’i njihet identiteti dhe gjuha maqedonase...

Ende nuk ka përgjigje zyrtare nga Bullgaria për ti garantuar Maqedonisë se do t’i njihet identiteti dhe gjuha maqedonase si të veçanta dhe të pakontestueshme, njoftoi zëvendës ministrja për çështje evropiane, Viktoria Trajkova. Sipas saj, edhe pse janë në pritje, marrëveshja e propozuar nga kryeministri Mickoski për një rezolutë të përbashkët në Parlamentin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë mund të arrihet gjatë vjeshtës, pas pushimeve.
 
“Ende nuk kemi marrë përgjigje nga ana e tyre, por sipas meje, ajo që duhet bërë është të ecim përpara në shekullin e 21-të dhe të mos merremi më me tema të tilla. Pres që të mendojnë mirë, sepse mendoj se marrëdhëniet e mira fqinjësore mund të ndërtohen vetëm me takime të arsyeshme, biseda dhe atëherë, jo me deklarata politike ku marketingu politik është në vend të parë.”, u shpreh zëvendës ministrja për çështje evropiane, Viktoria Trajkova.
 
VMRO: Filipçe është i gatshëm të fusë bullgarët në kushtetutë 
 
Ndërkohë akuzat mes pozitës dhe opozitës maqedonase kanë vazhduar edhe këtë fundjavë. Pikërisht, procesi euro-integrues, identiteti dhe gjuha maqedonase kanë qenë temë për të cilën VMRO-DPMNE dhe LSDM po ia hedhin fajin njëra-tjetrës.  Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE akuzoi se struktura të LSDM-së marrin fonde bullgare për të përhapur dezinformata dhe për të mohuar identitetin e gjuhën maqedonase. 
 
“Informacionet tregojnë se disa qarqe në LSDM dhe të afërt me ta financohen plotësisht nga fondet bullgare, me qëllim shpikjen dhe përhapjen e gënjeshtrave kundër politikanëve të VMRO-DPMNE-së dhe drejtuesve shtetërorë. Ajo për të cilën po flasim shihet shumë qartë nga shpejtësia me të cilën fabrikimet kundër VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrit Mickoski përhapen nga mediat bullgare në hapësirën maqedonase nga struktura të afërta me LSDM-në. Si mbështetje për këtë propagandë antimaqedonase, është Venko Filipçe dhe qëndrimi i tij i fshehur nga publiku, se ai do të pranojë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, pa asnjë kërkesë.”, tha Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: VMRO-DPMNE po luan rolin e viktimës
 
Kanë reaguar nga LSDM-së. Nga atje thonë se VMRO-DPMNE po luan rolin e viktimës pasi ka dështuar në planin ndërkombëtar.
 
“VMRO-DPMNE është vendosur në rolin e viktimës, nuk dinë në mënyrë diplomatike se si të menaxhojnë kur diplomacia e VMRO-DPMNE-së vetëm se më krejtësisht ka dështuar. Kur më e kanë sjell identitetin dhe gjuhën maqedonase në pikëpyetje, përsëri ta hapin atë temë, kur vetëm se e kishim të mbrojtur, e dini me marrëveshjen e nënshkruar me FRONTEKS dhe ajo temë ishte e mbyllur, tash e shoh VMRO-DPMNE përsëri e kthen mbrapa dhe këtë definitivisht e bën në mënyrë tendencioze, pasi ajo do shtet të robëruar, shtet I cili do të jetë pa kontroll.”, tha Bogdananka Kuzevska nga LSDM.
 
Nga LSDM gjithashtu akuzojnë VMRO-DPMNE-në se punon kundër kritereve të BE-së dhe se e ka kthyer shtetin mbrapsht procesit euro-integrues. Ata thonë se si opozitë do të vazhdojnë të mbështesin progresin e shtetit dhe rrugën drejt Bashkimit Europian.
 
ARMEND MURSELI