Maqedoni

Kumanovë, rriten sasitë e konsumimit të ujit!

20.07.2025 15:51

Kumanova si një ndër komunat më të mëdha në vend, aktualisht, nuk ka probleme me furnizimin me ujë të pijshëm...

Kumanova si një ndër komunat më të mëdha në vend, aktualisht, nuk ka probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Furnizimi me ujë nga rezervuarët po rrjedhë pa probleme. Momentalisht ka ujë si për qytetarët ashtu edhe për fermerët. Ujësjellësi "Fusha e Kumanovës dhe Likovës" informon se sezoni filloi me 16, dhe aktualisht ka rreth 12 milionë metra kub ujë në rezervuarë.
 
“Ne i dorëzojmë të gjitha sasitë e kërkuara në Ndërmarrjen Publike "Ujësjellësi" Kumanovë, jemi në komunikim të pandërprerë, kemi mirëkuptim të plotë. Gjithashtu kemi filluar sezonin e ujitjes për fermerët, nuk kemi ankesa për momentin, aktualisht ka dhe do të ketë ujë, por u bëj thirrje qytetarëve ta përdorin atë në mënyrë racionale.”, u shpreh Darko Zivkovski, nga SH.A. e Ujësjellësit "Fusha e Kumanovës dhe Likovës".
 
Me rritjen e temperaturave e sidomos tani në këtë kohë me temperatura që shënojnë mbi 35 gradë celsius, si zakonisht është rritur edhe konsumi ditor i ujit. Në periudha të caktuara të ditës arrin deri në 340 litra ujë në sekondë.
 
“Uji gjatë kësaj periudhe duhet të konsumohet në mënyrë racionale, vetëm për nevojat themelore, duke shmangur spërkatjen e oborreve, mbushjen e pishinave, kapaciteti i NP-së dhe fabrika e ujit me të gjitha stacionet dhe rezervuarët, të funksionojnë me kapacitet maksimal 24 orë në ditë.”, tha Oliver Stojmanovski, drejtor i NP “Ujësjellësi” Kumanovë.
 
Nga N.P. "Ujësjellësi" Kumanovë, gjithashtu na njoftuan se për shkak të konsumit të tepërt dhe pa kontrolle, zonat më të larta në qytet po përjetojnë presion të reduktuar të ujit gjatë kësaj periudhe. Ndryshe qyteti i Kumanovës, me ujë të pijshëm furnizohet nga Pendat e Likovës dhe Gllazhnjës.
 
FATLUM AQIFI