Rajon
Kosovë, nesër përpjekja e 50 për konstituim të Kuvendit
20.07.2025 16:16
Nesër pritet të mbahet përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës...

Nesër pritet të mbahet përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, një proces që ka mbetur i bllokuar që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Bllokada vazhdon të përqendrohet në mungesën e marrëveshjes për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, që përbën hapin e parë drejt formimit të institucioneve të reja.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë nga zgjedhjet, ka të drejtën të propozojë kandidatin për këtë post, mirëpo kandidatja e tyre, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme në votimet e deritanishme. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë më 26 qershor një vendim që i obligon deputetët ta konstituojnë Kuvendin deri më 26 korrik. Megjithatë, në vendim nuk është saktësuar se çfarë pasojash do të ketë në rast se ky afat nuk respektohet, duke e lënë të hapur mundësinë për krizë të mëtejshme institucionale.
Ndërkohë, përpjekjet për një marrëveshje politike ndërmjet liderëve të partive kryesore nuk kanë dhënë rezultat. Takimi i fundit ndërmjet Albin Kurtit, lider i Vetëvendosjes dhe kryeministër në detyrë, dhe Fatmir Limajt nga Nisma Socialdemokrate, përfundoi pa ndonjë marrëveshje, gjë që bën të mundur përsëritjen e të njëjtës situatë edhe në seancën e së hënës.
Kosova, pesë muaj pas zgjedhjeve, vazhdon të mbetet pa institucione të reja dhe pa një Kuvend funksional, ndërsa mungesa e konsensusit politik po zgjat krizën dhe paqartësinë institucionale në vend.
FLORIJE BELULI KAMBERI
