Botë
Ukraina godet me dronë Rusinë, Zelensky: Duhet të bëjmë gjithçka për armëpushim
20.07.2025 16:43
Pas disa muajsh të sulmeve intensive ruse me dronë, Ukraina po kthen goditjen....

Pas disa muajsh të sulmeve intensive ruse me dronë, Ukraina po kthen goditjen. Dhjetëra dronë u lëshuan drejt rajoneve ruse, përfshirë edhe Moskën. Një zjarr shpërtheu në zonën e Zelenogradit. Në të katër aeroportet e Moskës u vendosën kufizime të përkohshme. Autoritetet ukrainase raportojnë gjithashtu për sulme të reja ndaj infrastrukturës civile, me viktima dhe të plagosur.
“Shpërthimi e dëmtoi shtëpinë tonë, çatinë, dritaret, vaskën, gjithçka u shkatërrua plotësisht.”, u shpreh një banor.
“Po flija në dy e gjysmë të mëngjesit, u zgjova nga zhurma e thyerjes së xhamave. Dola jashtë dhe pashë zjarrin që përhapej me tërbim.”, tha një banor.
“Ishte shumë e frikshme, shkëndija, flakë. Dritaret tona mbetën të paprekura, falë Zotit. Këtu, të gjitha dritaret janë thyer.”, u shpreh një banor.
Sulmet ndodhën pasi presidenti ukrainas deklaroi se javën e ardhshme janë të gatshëm të vazhdojnë bisedimet për paqe. Zelensky i bëri thirrje Rusisë të ndalojë shmangien e marrjes së vendimeve dhe të pranojë një takim ballë për ballë për të siguruar paqe të qëndrueshme. Nga Kremlini thonë se janë dakord për të lëvizur drejt një zgjidhjeje paqësore, por qëllimi kryesor i Moskës mbetet arritja e objektivave të saj në luftë.
“Bisedimet me palën ruse për shkëmbimin e robërve të luftës janë në vazhdim. Po zbatojmë marrëveshjet e arritura gjatë takimit të mëparshëm në Stamboll. Ekipi ynë po punon për një tjetër shkëmbim. Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Umerov, ka propozuar edhe një takim tjetër me palën ruse javën e ardhshme. Dinamika e bisedimeve duhet të intensifikohet. Duhet të bëjmë gjithçka të mundur për të arritur një armëpushim. Pala ruse duhet të ndalojë shmangien e vendimeve.”, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës u takuan në qershor në bisedime të drejtpërdrejta paqeje, por përveç marrëveshjes për shkëmbimin e mijëra ushtarëve të vrarë dhe të plagosur rëndë, nuk u arrit asnjë përparim drejt përfundimit të luftës. Javën e kaluar, presidenti amerikan Trump i dha Moskës një ultimatum: brenda 50 ditësh të arrihet një marrëveshje paqeje, përndryshe Rusia do të përballet me tarifa të reja të larta nga SHBA. Nga Kremlini deklarojnë se një takim mes presidentit rus Putin dhe homologut të tij amerikan Trump do të zhvillohet patjetër, pasi konsiderohet i domosdoshëm.
ARMEND MURSELI
