Kulturë
Çarshia e Shkupit, edicioni i 20-të i “Mbrëmjeve Folklorike të Çarshisë”
21.07.2025 14:07
Në Çarshi të Shkupit u mbajt edicioni i 20-të i festivalit tradicional “Mbrëmjet Folklorike të Çarshisë”...

Në Çarshi të Shkupit u mbajt edicioni i 20-të i festivalit tradicional “Mbrëmjet Folklorike të Çarshisë”, i organizuar nga Ansambli “Ibe Palikuqi”.
Ky festival e shndërroi Sheshin “Skënderbeu” në zemrën e kulturës, folklorit dhe miqësisë ndërkombëtare! Në këtë manifestim morën pjesë ansamble nga 9 shtete, edhe atë dy nga Gjeorgjia, dy nga Turqia, si dhe ansamble nga Ukraina, Mali i Zi, Rumania, Bullgaria dhe Polonia. Për herë të parë festivali zgjati tre net.
Nga nata e parë deri te finalja madhështore, çdo performancë ishte një tregim më vete, një pasqyrim i shpirtit të popujve përmes veshjeve tradicionale, muzikës, vallëzimeve dhe dashurisë për trashëgiminë. Në natën finale, pas performancave të mrekullueshme, juria dhe publiku shpallën fituesit.
Në juri krahas përfaqësuesve nga Maqedonia e Veriut, kishte mysafirë edhe nga Kosova dhe Malta, të cilët vlerësuan performancat e secilit ansambël. Vendi i parë iu nda ansamblit nga qyteti Bursa i Turqisë, vendi i dytë shkoi për ansamblin Oho Nona nga Gjeorgjia, vendi i tretë shkoi për ansamblin nga Bullgaria. Të gjithë pjesëmarrësve iu nda mirënjohje për pjesëmarrjen, kontributin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Ndërsa fituesit u shpallën nga drejtori i AKV-së, Vebi Amza.
Organizatorët nga Ansambli “Ibe Palikuqi” premtuan se vitin tjetër për organizimin e festivalit do të jenë edhe më të përkushtuar.
ABIBE QAILI
