Komisioni për Financa dhe Buxhet, u miratua llogaria përfundimtare e buxhetit
Me 9 vota pro, asnjë kundër dhe abstenim...

Me 9 vota pro, asnjë kundër dhe abstenim ka kaluar propozim-llogaria përfundimtare e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 me raportin përfundimtar të revizorit të harmonizimit të Buxhetit Themelor të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024, edhe në leximin e dytë.
Sipas zëvendësministrit të Financave, Nikollçe Jankullovski, në vitin 2024 Bruto Prodhimi Vendor ka shënuar rritje për 2.8 për qind ose për 0.7 për qind nga 2.1 për qind sa ishte planifikuar, ndërsa sfera e ndërtimtarisë ka qenë më e theksuar duke shënuar rritje prej 6.4 për qind.
“Në vitin 2024 shkalla e inflacionit ka arritur 3.5 për qind, ndërsa shkalla e papunësisë ishte në shkallën e 12.4 për qind, ndërsa shkalla e të punësuarve ishte 45.8 për qind. Në vitin 2024 paga mesatare neto ka shënuar rritje për 12.6 për qind. Në vitin 2024 të ardhurat janë realizuar në shifrat e 305.6 miliardë denarë apo 96 për qind nga të planifikuarat, ndërsa realizimi i shpenzimeve ka kapur shifrat e 347.5 miliardë denarë. Po ashtu në mënyrë të rregulltë janë paguar edhe pensionet për 339.955 pensionistëve, shpenzimet kapitale 28.7 miliardë denarë. Ndërsa deficite buxhetore kanë qenë 42 miliardë denarë apo 4.4 për qind nga BPV.”, - deklaroi zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Nikollçe Jankullovski.
Sipas zëvendësministrit të Financave, më i theksuar ka qenë shpenzimi i mjeteve në korridorin 8, në aksin rrugor Tetovë – Gostivar, ndërtimi i autostradës Trebenishtë – Strugë – Qafasan, pastaj Gostivar – Bokojçan – Kërçovë, si dhe akseve rrugore Prilep - Manastir.
Po ashtu në seancën e 43 të Komisionit për Financim dhe Buxhet u miratua edhe propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shfrytëzim dhe disponim me sende në pronësi shtetërore dhe komunale. (Fitim Kryeziu, TVM2)
