Maqedoni
Temperaturat arrijnë në 40 gradë celsius, Mjekët: Kujdes, sidomos te pacientët me sëmundje kronike
21.07.2025 14:58
Në rrethana kur po mbretëron mot i nxehtë me temperatura deri në 40 gradë celsius...

Në rrethana kur po mbretëron mot i nxehtë me temperatura deri në 40 gradë celsius, mjekët apelojnë te qytetarët për kujdes të shtuar, sidomos tek pacientët me sëmundje kronike. Nga ndihma e shpejtë thonë se mundohen të intervenojnë në kohë edhe pse ka mungesë të personelit mjekësor.
“Qytetarët ankohen me tension të lartë të gjakut, po ashtu nga temperaturat e larta ka raste me virus të barkut, diarre, të vjella dhe simptome të ngjashme. Mundohemi t’u përgjigjemi të gjitha thirrjeve, kërkesave të qytetarëve, por tash është edhe koha e pushimeve dhe mungesa e personelit në shëndetësi dhe kjo e bën të veten. Apelojmë edhe tek qytetarët se si vozisin nëpër rrugë, sepse prej të nxehtit rreziku për aksidente trafiku është më i madh.”, - deklaroi Aleksandra Dimovska nga Ndihma e Shpejtë.
Qytetarët: Temperaturat janë të larta, por i përballojmë
Edhe pse mjekët dhe autoritetet rekomandojnë që qytetarët të evitojnë daljet nga ora 11:00 deri në orën 17:00, ka nga ata që nuk e respektojnë apelin.
“Mua nuk më ndikojnë temperaturat. Edhe pse jam pensionist ia dal dhe i kryej punët që i kam.”, - tha një qytetar.
“Unë i përballoj temperaturat e larta.”, - tha një qytetar tjetër.
“Mirë është, unë nuk kam problem.”, - u shpreh një qytetar.
Enti Hidrometeorologjik njofton se gjatë javës moti do të vazhdojë të jetë me temperatura të larta, që do të sillen prej 35 deri në 40 gradë celsius.
VLORA LATIFI TOPOJANI
