Maqedoni
Rasti me Dimitrovskën, Gashi: Kuvendi mund ta shkarkojë pas aktvendimit
21.07.2025 15:08
Aktakuza dhe dyshimet ndaj kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska...

Aktakuza dhe dyshimet ndaj kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, për zbulim të sekretit zyrtar dhe falsifikim të provimit për certifikatë sigurie nuk mjafton për shkarkimin e saj nga pozita. Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi theksoi se aktualisht nuk ekzistojnë kushte ligjore për shkarkim, pasi ligji kërkon gjykim të formës së prerë dhe jo vetëm ngritje të aktakuzës. Gashi shtoi se vendimet nuk mund të merren në mënyrë joligjore, pasi çdo veprim i nxituar mund të përfundojë në Gjykatën Administrative. Ai potencoi se Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve është organi kompetent që duhet të vendosë për këtë çështje dhe se nëse merret një vendim i tillë, ai do ta procesojë në seancë plenare.
"Duhet të ketë një aktgjykim të formës së prerë. Siç e dini, procedura është e paraparë në Rregulloren dhe për këtë do të vendosë Komisioni për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Pra, nëse ka ndonjë procedurë, ajo duhet të nisë nga ai komision. Dhe nëse ata vendosin, mund të marrin çfarëdo vendimi. Për shkarkim, ata duhet të marrin vendim dhe më pas ai të procedohet në seancë plenare. Çfarëdo që të vendosë komisioni, unë do ta procedoj në seancë plenare.".
Davidoviq: Ligjet e këqija, prandaj i lusim për dorëheqje
Ai bëri të ditur se deri më tani Dimitrovska nuk ka dorëzuar dorëheqje në Kuvend, ndërsa iniciativën për shkarkim duhet ta nisin vetë deputetët. Ndërkohë, që në fillim të hetimeve, Dimitrovska ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje, duke theksuar parimin e prezumimit të pafajësisë derisa të ketë një vendim përfundimtar. Ekspertët paralajmërojnë se nëse ka dyshime se brenda KShPK-së po kryhet abuzim me detyrën zyrtare, atëherë nuk mund të pritet që institucioni dhe sistemi të gëzojnë besim. Zgjidhjet e këqija ligjore na imponojnë që t’i lusim për dorëheqje funksionarët e përfshirë në afera korruptive.
“Është për të ardhur keq dhe e dhimbshme që pritet përgjegjësi morale dhe dorëheqje nga funksionarët. Ne i lusim ata që janë pjesëmarrës në afera dhe marrëveshje korruptive që vet të japin dorëheqje. Kjo e tregon problemin e dytë përskaj korrupsionit që ka depërtuar në të gjitha poret e sistemit, tregon edhe për zgjidhjet e këqija dhe të dobëta ligjore.”, - theksoi avokati, Zvonko Davidoviq.
Ndaj saj, me kërkesë të Prokurorisë, gjykata ka caktuar disa masa kujdesi, përfshirë ndalesën për të vepruar në lëndët e Komisionit, ndalimin e marrjes së postës dhe konfiskimin e pasaportës. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit së fundmi njoftoi se kryetarja Tatjana Dimitrovska nuk po vjen në punë, por se Kuvendi është institucioni që merr vendim për përfundimin e funksionit dhe shkarkimin e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit.
FLORIJE KAMBERI
