Maqedoni

Rezoluta me Bullgarinë, Mucunski: Tani e ka radhën Bullgaria

21.07.2025 15:21

Diplomacia e vendit, topin për zhbllokimin e rrugës evropiane ia hedh Bullgarisë...

Diplomacia e vendit, topin për zhbllokimin e rrugës evropiane ia hedh Bullgarisë, nëse fqinji lindor do të rreshtohet në anën e progresit rajonal dhe evropian. Ministri për Punë të Jashtme, Timço Mucunski, thotë se tani e ka radhën Bullgaria të tregojë vullnet politik, nëse do të përqafojë propozimin e kryeministrit Mickoski për dorëzimin e rezolutës së përbashkët në Parlamentin Evropian me të cilën do të konfirmohej identiteti dhe gjuha maqedonase. Mucunski reagon ndaj komunitetit akademik në vend, të cilët pretendojnë se çështjet dypalëshe duhet të mbeten lokale.
 
“Komuniteti akademik, në të cilin edhe unë jam anëtarë, ndonjëherë do të duhet të jetë i vetëdijshëm edhe për realitetin politik. Realiteti politik është se fqinji jonë edhe përkundër këtyre fakteve jo të rëndësishme e mohon identitetin tonë maqedonas, historinë dhe gjuhën tonë. Kjo për ne nuk paraqet vetëm rrezik, por edhe pengesë. Ne themi: të tregojmë gjest, shenjë, iniciativë që ta eliminojmë këtë pengesë. Andaj për momentin radhën e ka Sofja, që të tregojë se a do të shkojë përpara në shekullin 21 ose do të qëndrojë e bllokuar në retorikën e shekullit 19.”, - deklaroi ministri për Punë të Jashtme, Timço Mucunski.
 
Mickoski: Drejt zgjidhjeve si fqinj të mirë
 
Kryeministri Hristijan Mickoski edhe njëherë thotë se me rezolutën Bullgaria do të dëshmojë se nuk ka prapavija të tjera përpos përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë. Mickoski kërkon që Bullgaria të regjistrojë organizatën maqedonase “Omo Ilinden Pirin” për përfaqësimin e të drejtave të maqedonasve atje.
 
“Së bashku ta bëjmë këtë, si fqinj të mirë, ne obligimin tonë e ata të tyren. Ja një mundësi se si të dalim dhe tregojmë se çfarë do të thotë fqinj të mirë dhe çfarë nënkupton mbështetje e ndërsjellë, e që është pjesë e marrëveshjes së fqinjësisë së mirë të nënshkruar nga Zaevi dhe Borisovi në vitin 2017.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Komuniteti akademik në vend, propozimin e kryeministrit Mickoski e shikon si ruletë ruse dhe akt skajshmërisht të papërgjegjshëm, që shton shanset për rrezikimin e mëtejmë të statusit maqedonas të arritur sipas gjitha parametrave. Ndërkohë nuk ka ndonjë prononcim nga pala bullgare, përpos deklarimeve paraprake të presidentit bullgar, Radev, se kontesti dypalësh nuk do të ekzistonte nëse Maqedonia e Veriut do t’i kushtonte më shumë vëmendje të drejtave të bullgarëve në Maqedoni.
 
MERAL ISMAILI